Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 12:1-15

1 i Mbretërve 12:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta shpallur mbret. Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur e mori vesh këtë, Jeroboami qëndroi në Egjipt, por kur i çuan fjalë dhe e thirrën, u kthye. Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: «Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson tani disi zgjedhën e punës së rëndë që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua. Kështu, mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit?». Ata i thanë: «Nëse ti sot bëhesh shërbëtor i këtij populli e i shërben dhe nëse u thua fjalë të mira, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve, por u këshillua me të rinjtë me të cilët ishte rritur e që i rrinin pranë. Ai i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t'ua lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit që foli me ty e që të kërkoi t'ua lehtësosh zgjedhën që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”». Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. Mbreti iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, por unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur ZOTI, që të shkonte në vend fjala që ZOTI i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit.

1 i Mbretërve 12:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur aty për ta bërë mbret. Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte në Egjipt, ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), dhe Jeroboami jetonte në Egjipt. Atëherë dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë asambleja e Izraelit erdhën t'i flasin Roboamit dhe i thanë: "Yt atë e ka bërë zgjedhën tonë të rënde; tani ti lehtëso skllavërinë e ashpër të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që na ka imponuar dhe ne do të të shërbejmë". Ai iu përgjigj atyre: "Shkoni dhe kthehuni tek unë pas tri ditëve". Dhe populli iku. Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe u tha: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli?". Ata iu përgjigjën, duke thënë: "Në rast se sot ti do të bëhesh shërbëtor i këtij populli dhe do t'i shërbesh, në rast se do të tregohesh mirëdashës me ta dhe do t'u thuash fjalë të mira, ata do të jenë shërbëtorë të tu përjetë". Por Roboami hodhi poshtë këshillën që i dhanë pleqtë dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij, dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli që më foli, duke më thënë: "Lehtëso zgjedhën që na ka vënë yt atë"?". Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të iu përgjigjën, duke thënë: "Kështu do t'i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke të thënë: "Yt atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani ti lehtësoje atë". Kështu do t'u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë nga brinjët e atit tim; prandaj, në qoftë se im atë ju ka ngarkuar me një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se im atë ju ka dënuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik"". Tri ditë më vonë Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditëve". Mbreti iu përgjigj ashpër popullit, duke mos pranuar këshillën që i kishin dhënë pleqtë; përkundrazi i foli popullit sipas këshillës së të rinjve, duke thënë: "Im atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj; por unë do ta bëj edhe më të rëndë; im atë ju ka dënuar me fshikull, kurse unë do t'ju dënoj me kamxhik". Kështu mbreti nuk mori parasysh kërkesën e popullit, sepse rrjedha e ngjarjeve varej nga Zoti, në mënyrë që të përmbushej fjala që Zoti i kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shiloh.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë