Mbreti Solomon, përveç bijës së faraonit, dashuroi edhe shumë gra të huaja moabite, amonite, edomite, sidonase dhe hitite. Ato vinin nga kombe, për të cilat ZOTI u kishte thënë izraelitëve: «Mos hyni e dilni te ato kombe, sepse ata kanë për t'ua kthyer zemrën drejt perëndive të tyre». E megjithatë Solomoni u dha pas tyre e u dashurua me to. Solomoni pati shtatëqind gra fisnike dhe treqind shemra. Gratë ia zvetënuan zemrën Solomonit. Kur u plak, gratë ia kthyen zemrën Solomonit drejt perëndive të tjerë e zemra e tij nuk qe më e përkushtuar plotësisht ndaj ZOTIT, Perëndisë së tij, siç kishte qenë zemra e Davidit, atit të tij. Solomoni u dha pas Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, dhe pas Milkomit, idhullit të ndyrë të amonitëve. Ai bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe nuk i qëndroi besnik ZOTIT, si ati i tij, Davidi. Mbi malin përballë Jerusalemit Solomoni ndërtoi një faltore në vend të lartë për Kemoshin, idhullin e ndyrë të Moabit, dhe për Molekun, idhullin e ndyrë të amonitëve. Të njëjtën gjë bëri për të gjitha gratë e tij të huaja, që ato t'u kushtonin temjan dhe flijime perëndive të tyre.
ZOTI u zemërua me Solomonin, për shkak se zemra e Solomonit ishte larguar nga ZOTI, Perëndia i Izraelit, i cili i ishte shfaqur dy herë dhe e kishte urdhëruar të mos shkonte pas perëndive të tjerë. Por Solomoni nuk e zbatoi urdhrin e ZOTIT. Prandaj ZOTI i tha Solomonit: «Meqenëse veprove kështu e nuk e ruajte besëlidhjen time e as rregullat që të dhashë, kam për të ta hequr mbretërinë e kam për t'ia dhënë njërit prej shërbëtorëve të tu. Megjithatë, për hir të atit tënd, Davidit, nuk do ta bëj sa të jesh gjallë ti, por do t'ia heq nga duart birit tënd. Nuk do t'ia heq të gjithë mbretërinë, por për hir të Davidit, shërbëtorit tim, e të Jerusalemit, qytetit që kam zgjedhur, do t'i jap birit tënd vetëm një fis».