Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Korintasve 9:1-23

1 Korintasve 9:1-23 AL1

A nuk jam i lirë unë? A nuk jam apostull? A nuk e kam parë unë Jezuin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin? Nëse për të tjerë nuk jam apostull, për ju patjetër që jam, sepse vetë ju që besoni në Zotin jeni prova që vërteton se unë jam apostull. Mbrojtja ime përballë atyre që më gjykojnë, është kjo: a nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë? A nuk kemi edhe ne të drejtë të kemi një grua besimtare, siç kanë apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit dhe Kefa? Pse vetëm unë dhe Barnaba duhet të punojmë për të mbajtur veten? Kush shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush është ai që mbjell vreshtin dhe nuk shijon frytet e tij? Apo kush është ai bari që nuk shijon nga qumështi i tufës së tij? Mos po i them këto si njeri? A nuk thotë kështu edhe ligji? Në ligjin e Moisiut shkruhet: mos ia lidh gojën kaut që shin. Mos shqetësohet për qetë këtu Perëndia apo flet për ne? Sigurisht që për ne është shkruar, sepse ai që lëron dhe ai që shin duhet ta bëjnë punën me shpresën se do të marrin pjesën e tyre. Nëse ne mbollëm të mirat shpirtërore te ju, kaq gjë e madhe na qenka nëse korrim të mirat materiale nga ju? Nëse të tjerë e paskan këtë të drejtë, a nuk duhet ta kishim ne shumë më tepër? Por ne nuk e kemi përdorur këtë të drejtë. Përkundrazi, durojmë gjithçka që të mos bëhemi pengesë për ungjillin e Krishtit. A nuk e dini se ata që punojnë në tempull ushqehen nga të ardhurat e tempullit dhe se ata që shërbejnë në altar marrin pjesën e tyre nga ato që flijohen atje? Kështu edhe Zoti ka urdhëruar që ata që shpallin ungjillin, të jetojnë nga ungjilli. Por unë nuk kam përdorur asnjë nga këto të drejta. Këto nuk po jua shkruaj që të veproni kështu edhe me mua. Më mirë të vdes, sesa të ma heqë ndokush këtë gjë për të cilën mburrem. Nuk mburrem që predikoj ungjillin, sepse këtë e kam për detyrë. Mjerë unë po nuk e predikova! Po ta kisha bërë me dëshirën time, do të merrja shpërblim, por përderisa e bëj pa dëshirën time, atëherë vetëm bëj detyrën që më ka ngarkuar Perëndia. Cili është shpërblimi im atëherë? Të predikoj ungjillin falas, pa i shpërdoruar të drejtat që më jep predikimi i tij. Megjithëse jam i lirë nga të gjithë, u bëra shërbëtor i të gjithëve, që të fitoj sa më shumë njerëz në besim. Mes judenjve u bëra jude, që t'i fitoja judenjtë. Mes atyre që ishin nën ligjin u bëra si njeri nën ligjin, pavarësisht se nuk jam, që të fitoja ata që ishin nën këtë ligj. Mes atyre që nuk e njihnin ligjin u bëra si njeri pa ligjin, edhe pse nuk jam pa ligjin e Perëndisë, por jam me ligjin e Krishtit, që të fitoja ata që ishin pa ligjin. Mes të dobtëve në besim u bëra i dobët, që të fitoja të dobëtit. U bëra gjithçka për të gjithë, që të shpëtoja disa prej tyre. Të gjitha këto i bëj për ungjillin, që të kem pjesë në të.