1 e Korintasve 9:1-23
1 e Korintasve 9:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
A nuk jam i lirë unë? A nuk jam apostull? A nuk e kam parë unë Jezuin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin? Nëse për të tjerë nuk jam apostull, për ju patjetër që jam, sepse vetë ju që besoni në Zotin jeni prova që vërteton se unë jam apostull. Mbrojtja ime përballë atyre që më gjykojnë, është kjo: a nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë? A nuk kemi edhe ne të drejtë të kemi një grua besimtare, siç kanë apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit dhe Kefa? Pse vetëm unë dhe Barnaba duhet të punojmë për të mbajtur veten? Kush shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush është ai që mbjell vreshtin dhe nuk shijon frytet e tij? Apo kush është ai bari që nuk shijon nga qumështi i tufës së tij? Mos po i them këto si njeri? A nuk thotë kështu edhe ligji? Në ligjin e Moisiut shkruhet: mos ia lidh gojën kaut që shin. Mos shqetësohet për qetë këtu Perëndia apo flet për ne? Sigurisht që për ne është shkruar, sepse ai që lëron dhe ai që shin duhet ta bëjnë punën me shpresën se do të marrin pjesën e tyre. Nëse ne mbollëm të mirat shpirtërore te ju, kaq gjë e madhe na qenka nëse korrim të mirat materiale nga ju? Nëse të tjerë e paskan këtë të drejtë, a nuk duhet ta kishim ne shumë më tepër? Por ne nuk e kemi përdorur këtë të drejtë. Përkundrazi, durojmë gjithçka që të mos bëhemi pengesë për ungjillin e Krishtit. A nuk e dini se ata që punojnë në tempull ushqehen nga të ardhurat e tempullit dhe se ata që shërbejnë në altar marrin pjesën e tyre nga ato që flijohen atje? Kështu edhe Zoti ka urdhëruar që ata që shpallin ungjillin, të jetojnë nga ungjilli. Por unë nuk kam përdorur asnjë nga këto të drejta. Këto nuk po jua shkruaj që të veproni kështu edhe me mua. Më mirë të vdes, sesa të ma heqë ndokush këtë gjë për të cilën mburrem. Nuk mburrem që predikoj ungjillin, sepse këtë e kam për detyrë. Mjerë unë po nuk e predikova! Po ta kisha bërë me dëshirën time, do të merrja shpërblim, por përderisa e bëj pa dëshirën time, atëherë vetëm bëj detyrën që më ka ngarkuar Perëndia. Cili është shpërblimi im atëherë? Të predikoj ungjillin falas, pa i shpërdoruar të drejtat që më jep predikimi i tij. Megjithëse jam i lirë nga të gjithë, u bëra shërbëtor i të gjithëve, që të fitoj sa më shumë njerëz në besim. Mes judenjve u bëra jude, që t'i fitoja judenjtë. Mes atyre që ishin nën ligjin u bëra si njeri nën ligjin, pavarësisht se nuk jam, që të fitoja ata që ishin nën këtë ligj. Mes atyre që nuk e njihnin ligjin u bëra si njeri pa ligjin, edhe pse nuk jam pa ligjin e Perëndisë, por jam me ligjin e Krishtit, që të fitoja ata që ishin pa ligjin. Mes të dobtëve në besim u bëra i dobët, që të fitoja të dobëtit. U bëra gjithçka për të gjithë, që të shpëtoja disa prej tyre. Të gjitha këto i bëj për ungjillin, që të kem pjesë në të.
1 e Korintasve 9:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
A s'jam unë apostull? A s'jam unë i lirë? Po a nuk e pashë Jezu Krishtin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin? Në qoftë se për të tjerët nuk jam apostull, së paku për ju unë jam; sepse ju jeni vula e apostullimit tim në Zotin. Kjo është mbrojtja ime ndaj atyre që më hetojnë. A nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë? A nuk kemi edhe ne të drejtë të marrim me vete një bashkëshorte, që të jetë motër në besim, sikurse edhe apostujt e tjerë, dhe vëllezërit e Zotit, edhe Kefa? Apo vetëm unë dhe Barnaba nuk kemi të drejtë të mos punojmë? Kush, vallë, shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush mbjell vresht dhe nuk ha nga fryti i tij? Kush kullot një tufë dhe nuk ha nga qumështi i tufës? A i them këto si njeri? A nuk i thotë këto edhe ligji? Sepse në ligjin e Moisiut është shkruar: ''Mos ia lidh gojën kaut që shin''. Vallë, a kujdeset Perëndia me qetë? Apo e thotë këtë për ne? Vërtetë për ne janë shkruar, sepse kush lëron duhet të lërojë me shpresë, dhe kush shin, duhet të shijë me shpresë që të marrë atë që shpreson. Në qoftë se ne kemi mbjellë midis jush gjërat frymërore, a është gjë e madhe nëse korrim të mirat tuaja materiale? Në qoftë se të tjerë kanë pjesë të kësaj të drejte mbi ju, a nuk do ta kishim ne shumë më tepër? Po ne nuk e përdornim këtë të drejtë; po durojmë çdo gjë, për të mos i vënë asnjë pengesë ungjillit të Krishtit. Nuk e dini ju se ata që kryejnë shërbesën e shenjtë hanë nga gjërat e tempullit, dhe ata që i shërbejnë altarit marrin pjesë nga të mirat e altarit? Kështu edhe Zoti urdhëroi që ata që shpallin ungjillin, nga ungjilli të rrojnë. Por unë nuk përdora asnjë nga këto gjëra as nuk i shkrova, që kështu të më bëhet, sepse për mua është më mirë të vdes se sa dikush ta bëjë të kotë të mburrurit tim. Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s'ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin! Sepse, po e bëra këtë vullnetarisht, do të kem një pagë; por po ta bëj kundër dëshirës, mbetet gjithnjë një detyrë që më është besuar. Cila, pra, është paga ime? Që, duke predikuar ungjillin ta bëj ungjillin të ofruar falas, pa e përdorur për keq pushtetin tim në ungjillin. Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra vetën time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz. Kështu e kam bërë vetën time jude me judenjtë për t'i fituar judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën ligj me ata që janë nën ligj për t'i fituar ata që janë nën ligj; me ata që janë pa ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa ligjin e Zotit, por nën ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj. E kam bërë veten time të dobët me të dobëtit, për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz. Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjesëtar i tij.