Dikush do të thotë: «Si do të ngjallen të vdekurit? Çfarë trupi do të kenë?». O i marrë! Fara që mbjell në arë, nuk merr jetë po nuk vdiq më parë. Ti nuk mbjell trupin që do të ketë bima në të ardhmen, por një kokërr të zhveshur gruri ose të ndonjë fare tjetër. Pastaj trupin ia jep Perëndia, ashtu siç dëshiron, dhe çdo farë ka trupin e vet. Jo çdo trup është i njëjtë me një trup tjetër. Tjetër është trupi i njeriut, tjetër trupi i kafshëve, tjetër trupi i shpendëve dhe tjetër ai i peshqve. Ka trupa qiellorë, ashtu siç ka edhe trupa tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i trupave qiellorë dhe tjetër shkëlqimi i trupave tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i diellit, tjetër shkëlqimi i hënës dhe tjetër shkëlqimi i yjeve, sepse ylli nga ylli ndryshon në shkëlqim.
Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve: trupi mbillet në kalbje e ngjallet në moskalbje, mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi, mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi, mbillet trup tokësor e ngjallet trup shpirtëror. Ashtu siç ka trup tokësor, ka edhe trup shpirtëror.
Prandaj është shkruar: njeriu i parë, Adami, u bë qenie tokësore, ndërsa Adami i fundit, Krishti, u bë shpirti që jep jetë. Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas. Njeriu i parë u bë nga dheu dhe është lëndor, ndërsa njeriu i dytë erdhi nga qielli. Ashtu siç është njeriu i bërë nga dheu, ashtu janë edhe lëndorët, dhe, ashtu siç është njeriu që erdhi nga qielli, ashtu janë edhe qiellorët. Ashtu siç jemi në përngjasim me njeriun lëndor, do të jemi edhe në përngjasim me njeriun qiellor.