Në ligj është shkruar:
« Këtij populli
do t'i flas me njerëz
që flasin gjuhë të tjera
dhe me gojën e të huajve,
por as kështu
nuk do të më dëgjojnë », thotë Zoti.
Prandaj gjuhët nuk janë shenjë për ata që besojnë, por për ata që nuk besojnë, ndërsa profecia nuk është për ata që nuk besojnë, por për ata që besojnë. Nëse mblidhet kisha në një vend e të gjithë flasin gjuhë të panjohura dhe po të hyjnë aty njerëz që nuk dinë ose që nuk besojnë, a nuk do të thonë se jeni marrosur? Por nëse të gjithë do të profetizojnë dhe aty hyn ndonjë që nuk beson apo nuk di, atëherë ai do të ndihet i qortuar dhe i dënuar nga ato që dëgjon. Të fshehtat e zemrës së tij do të shfaqen dhe duke rënë me fytyrë përdhe do të adhurojë Perëndinë e do të thotë: «Perëndia është me të vërtetë mes jush».
Çfarë duhet bërë atëherë, o vëllezër? Kur të mblidheni së bashku, dikush mund të këndojë një himn, dikush mund të japë një mësim, dikush mund të ketë një zbulesë, dikush një gjuhë të panjohur dhe dikush një shpjegim të gjuhës. Të gjitha le të bëhen për rritjen shpirtërore të kishës. Nëse dikush dëshiron të flasë në gjuhë të panjohur, le të flasin dy ose e shumta tre veta, njëri pas tjetrit, dhe njëri të shpjegojë. Po të mos ketë ndonjë që mund të shpjegojë, atëherë ai që flet në gjuhë të panjohur të heshtë në kishë dhe të flasë me veten e me Perëndinë.
Nga profetët të flasin dy ose tre, ndërsa të tjerët të gjykojnë ato që thuhen. Por nëse ndonjëri nga ata që rrinë ulur ka ndonjë zbulesë, atëherë ai që është duke folur, le të heshtë. Një nga një të gjithë mund të profetizoni, që të mësojnë dhe të marrin zemër të gjithë. Profetët duhet ta zotërojnë mirë dhuntinë që u është dhënë, sepse Perëndia nuk është Perëndi trazirash, por paqeje.
Ashtu siç ndodh në të gjitha kishat e të shenjtëve, gratë le të heshtin në kishë. Atyre nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, siç thotë ligji. Nëse duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është turp për gruan të flasë në kishë. A thua doli nga ju fjala e Perëndisë, apo mbërriti vetëm te ju?
Nëse ndokush mendon se është profet apo njeri shpirtëror, ai duhet ta kuptojë se këto që ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. Kush nuk i pranon, të mos pranohet. Kështu, vëllezërit e mi, kërkoni më shumë të profetizoni, por mos ndaloni të flitet në gjuhë të panjohura. Gjithçka të bëhet siç ka hije dhe me rregull.