Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Kronikave 29:10-20

1 Kronikave 29:10-20 AL1

Davidi e bekoi ZOTIN para mbarë bashkësisë e tha: «I bekuar je ti, o ZOT, Perëndia i Izraelit, atit tonë, ngaherë e përgjithmonë. Ty, o ZOT, të takon madhëria, fuqia, shkëlqimi, lartësimi e madhështia, sepse ty të përket gjithçka në qiell e në tokë. Ty të takon mbretërimi, o ZOT, i lartësuar mbi të gjithë. Prej teje buron pasuria e lavdia. Ti sundon mbi çdo gjë. Në dorën tënde janë pushteti e fuqia dhe ti e ke në dorë të madhërosh e të mëkëmbësh këdo. E tani, o Perëndia ynë, ne të falënderojmë dhe e lavdërojmë emrin tënd të lavdishëm. Por kush jam unë e kush është populli im, që të jemi të aftë të bëjmë kushtime të tilla? Sepse gjithçka vjen prej teje dhe përmes teje japim. Kalimtarë jemi para teje e të huaj si gjithë etërit tanë. Si hije janë ditët tona mbi dhe e nuk ka shpresë. O ZOT, Perëndia ynë, gjithçka që kemi përgatitur me begati për t'i ndërtuar një shtëpi emrit tënd të shenjtë vjen prej teje dhe ty të përket gjithçka. E di, o Perëndia im, se ti i shqyrton zemrat e të pëlqen e drejta. Unë i kushtova me dëshirë e me zemër të drejtë të gjitha këto dhe tani shoh me gëzim se edhe populli yt i pranishëm këtu të kushton me dëshirë. O ZOT, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, etërve tanë, ruaji gjithmonë këto prirje e mendime në zemrat e popullit tënd dhe drejtoji kah ti zemrat e tyre. Solomonit, birit tim, jepi një zemër të përkryer, që t'i mbajë urdhërimet, dëshmitë e rregullat e tua e të zbatojë gjithçka që i parapërgatita për ndërtimin e tempullit». Pastaj Davidi i tha mbarë bashkësisë: «Bekojeni, pra, ZOTIN, Perëndinë tuaj». Atëherë mbarë bashkësia e bekoi ZOTIN, atin e etërve të tyre, u përkulën e ranë përmbys para ZOTIT e para mbretit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë