Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Kronikave 29:1-20

1 Kronikave 29:1-20 AL1

Mbreti David i tha mbarë bashkësisë: «Solomoni, biri im, i vetmi që zgjodhi Perëndia, është i ri e njomcak, ndërsa puna është e madhe, sepse tempulli nuk është për një njeri, por për ZOTIN Perëndi. Për tempullin e Perëndisë tim bëra gati me tërë fuqinë time arin për pajisjet e arta, argjendin për të argjendtat, bronzin për të bronztat, hekurin për të hekurtat, drurin për të drunjtat, gurë oniksi e gurë zbukurues, gurë të zinj e shumëngjyrësh, çdo gur të çmuar e alabastër me shumicë. Për më tepër, nga dashuria që kam për tempullin e Perëndisë tim, po jap për tempullin e Perëndisë tim thesarin e artë e të argjendtë që kam, përveç të gjitha gjërave që kam përgatitur për tempullin e shenjtë: njëqind tonë ar Ofiri, e dyqind e dyzet tonë argjend të kulluar për të veshur muret e tempullit, arin për pajisjet e arta, argjendin për të argjendtat e për të gjitha punimet e bëra prej zejtarëve. Tani, kush do të dhurojë sot, duarplot, për ZOTIN?». Atëherë krerët e shtëpive, krerët e fiseve të Izraelit, krerët e mijëra e qindra vetëve dhe mbikëqyrësit e punëve të mbretit dhuruan. Ata dhuruan për punimet e tempullit të Perëndisë njëqind e shtatëdhjetë tonë ar, dhjetë mijë monedha ari, treqind tonë argjend, gjashtëqind tonë bronz e tre mijë tonë hekur. Ata që zotëronin gurë të çmuar, i dhuruan për thesarin e tempullit të ZOTIT, nëpërmjet Jehiel Gershonitit. Populli u gëzua për dhuratat e veta, sepse i kishin dhuruar me gjithë zemër për ZOTIN. Edhe mbreti David u gëzua shumë. Davidi e bekoi ZOTIN para mbarë bashkësisë e tha: «I bekuar je ti, o ZOT, Perëndia i Izraelit, atit tonë, ngaherë e përgjithmonë. Ty, o ZOT, të takon madhëria, fuqia, shkëlqimi, lartësimi e madhështia, sepse ty të përket gjithçka në qiell e në tokë. Ty të takon mbretërimi, o ZOT, i lartësuar mbi të gjithë. Prej teje buron pasuria e lavdia. Ti sundon mbi çdo gjë. Në dorën tënde janë pushteti e fuqia dhe ti e ke në dorë të madhërosh e të mëkëmbësh këdo. E tani, o Perëndia ynë, ne të falënderojmë dhe e lavdërojmë emrin tënd të lavdishëm. Por kush jam unë e kush është populli im, që të jemi të aftë të bëjmë kushtime të tilla? Sepse gjithçka vjen prej teje dhe përmes teje japim. Kalimtarë jemi para teje e të huaj si gjithë etërit tanë. Si hije janë ditët tona mbi dhe e nuk ka shpresë. O ZOT, Perëndia ynë, gjithçka që kemi përgatitur me begati për t'i ndërtuar një shtëpi emrit tënd të shenjtë vjen prej teje dhe ty të përket gjithçka. E di, o Perëndia im, se ti i shqyrton zemrat e të pëlqen e drejta. Unë i kushtova me dëshirë e me zemër të drejtë të gjitha këto dhe tani shoh me gëzim se edhe populli yt i pranishëm këtu të kushton me dëshirë. O ZOT, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, etërve tanë, ruaji gjithmonë këto prirje e mendime në zemrat e popullit tënd dhe drejtoji kah ti zemrat e tyre. Solomonit, birit tim, jepi një zemër të përkryer, që t'i mbajë urdhërimet, dëshmitë e rregullat e tua e të zbatojë gjithçka që i parapërgatita për ndërtimin e tempullit». Pastaj Davidi i tha mbarë bashkësisë: «Bekojeni, pra, ZOTIN, Perëndinë tuaj». Atëherë mbarë bashkësia e bekoi ZOTIN, atin e etërve të tyre, u përkulën e ranë përmbys para ZOTIT e para mbretit.