Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Kronikave 28:9-20

1 Kronikave 28:9-20 AL1

«Ndërsa ti, Solomon, biri im, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër e me gjithë dëshirën e shpirtit, sepse ZOTI i heton të gjitha zemrat dhe i kupton të gjitha prirjet e mendimet. Nëse e kërkon, bëhet i gjindshëm, por nëse e shpërfill, do të të flakë tej përgjithmonë. Shiko, tani, se ZOTI të zgjodhi të ndërtosh një shtëpi për shenjtëroren. Ji i fortë e kryeje!». Pastaj Davidi i dha Solomonit, të birit, gjedhen e portikut, të tempullit, të qilarëve, të dhomave të epërme, të dhomave të brendshme dhe të sallës së pajtimores, gjedhen e gjithçkaje që kishte në mendje për tremet e shtëpisë së ZOTIT e për të gjitha dhomat anësore, për qilarët e shtëpisë së Perëndisë e për qilarët e dhuratave të shenjta, për rendet e priftërinjve e të levitëve dhe të gjithë veprimtarisë së shërbesës në shtëpinë e ZOTIT, si edhe për të gjitha enët e shërbesës në shtëpinë e ZOTIT, sasinë e arit për të gjitha enët e arta për secilën shërbesë, sasinë e argjendit për enët e secilës shërbesë, sasinë e arit për shandanët e llambat e tyre, sipas përdorimit të secilit shandan e të llambave të tyre, si edhe sasinë e argjendit për shandanët, sipas përdorimit të secilit shandan në shërbesë, sasinë e arit për secilën tryezë të bukës së paraqitjes, argjendin për tryezat e argjendta, pirunët, kupat, brokat prej ari të kulluar, sasinë e arit për kupat, për secilën kupë të artë, dhe sasinë e argjendit për secilën kupë, sasinë e arit të kulluar për altarin e temjanit dhe gjedhen për karrocën e artë të kerubëve me krahët e shpalosur që mbulonin arkën e besëlidhjes së ZOTIT. Gjithçka ishte shkruar për mua me dorën e ZOTIT dhe sqaronte zbatimet e asaj trajte. Pastaj Davidi i tha Solomonit, të birit: «Bëhu i fortë e guximtar. Puno pa u trembur e pa frikë, sepse ZOTI Perëndi, Perëndia im, është me ty. Nuk do të të braktisë e nuk do të të lërë vetëm derisa ta kryesh tërë punën për shtëpinë e ZOTIT.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë