Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Kronikave 28:9-20

1 i Kronikave 28:9-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Ndërsa ti, Solomon, biri im, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër e me gjithë dëshirën e shpirtit, sepse ZOTI i heton të gjitha zemrat dhe i kupton të gjitha prirjet e mendimet. Nëse e kërkon, bëhet i gjindshëm, por nëse e shpërfill, do të të flakë tej përgjithmonë. Shiko, tani, se ZOTI të zgjodhi të ndërtosh një shtëpi për shenjtëroren. Ji i fortë e kryeje!». Pastaj Davidi i dha Solomonit, të birit, gjedhen e portikut, të tempullit, të qilarëve, të dhomave të epërme, të dhomave të brendshme dhe të sallës së pajtimores, gjedhen e gjithçkaje që kishte në mendje për tremet e shtëpisë së ZOTIT e për të gjitha dhomat anësore, për qilarët e shtëpisë së Perëndisë e për qilarët e dhuratave të shenjta, për rendet e priftërinjve e të levitëve dhe të gjithë veprimtarisë së shërbesës në shtëpinë e ZOTIT, si edhe për të gjitha enët e shërbesës në shtëpinë e ZOTIT, sasinë e arit për të gjitha enët e arta për secilën shërbesë, sasinë e argjendit për enët e secilës shërbesë, sasinë e arit për shandanët e llambat e tyre, sipas përdorimit të secilit shandan e të llambave të tyre, si edhe sasinë e argjendit për shandanët, sipas përdorimit të secilit shandan në shërbesë, sasinë e arit për secilën tryezë të bukës së paraqitjes, argjendin për tryezat e argjendta, pirunët, kupat, brokat prej ari të kulluar, sasinë e arit për kupat, për secilën kupë të artë, dhe sasinë e argjendit për secilën kupë, sasinë e arit të kulluar për altarin e temjanit dhe gjedhen për karrocën e artë të kerubëve me krahët e shpalosur që mbulonin arkën e besëlidhjes së ZOTIT. Gjithçka ishte shkruar për mua me dorën e ZOTIT dhe sqaronte zbatimet e asaj trajte. Pastaj Davidi i tha Solomonit, të birit: «Bëhu i fortë e guximtar. Puno pa u trembur e pa frikë, sepse ZOTI Perëndi, Perëndia im, është me ty. Nuk do të të braktisë e nuk do të të lërë vetëm derisa ta kryesh tërë punën për shtëpinë e ZOTIT.

1 i Kronikave 28:9-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ti Salomon, biri im njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë, sepse Zoti heton të gjitha zemrat dhe kupton tërë qëllimet e mendimeve. Në rast se ti e kërkon, ai do të të lërë ta gjesh; por në rast se ti e braktis, ai do të të hedhë poshtë përjetë. Tani ki parasysh që Zoti të ka zgjedhur për të ndërtuar një shtëpi si shenjtërore; tregohu i fortë dhe futju punës!". Atëherë Davidi i dha birit të tij Salomonit projektin e portikut të tempullit, të godinave të tij, të dhomave të tij, të thesareve të tij, të dhomave të sipërme, të dhomave të brendshme dhe të vendit të pajtuesit, si dhe projektin e të gjitha gjërave që kishte në mendje për Frymën lidhur me oborret e shtëpisë të Zotit, me të gjitha dhomat anësore, me thesaret e shtëpisë së Perëndisë dhe me thesaret e sendeve të shenjtëruara, me klasat e priftërinjve dhe të levitëve, me tërë punën lidhur me shërbimin e shtëpisë të Zotit dhe me të gjitha veglat e nevojshme për shërbimin e shtëpisë të Zotit. I dha arin duke treguar peshën e sendeve prej ari, për të gjitha veglat që përdoren në çdo lloj shërbimi, dhe argjendin duke treguar peshën e të gjitha veglave prej argjendi, për të gjitha veglat që përdoren në çdo lloj shërbimi. I dha gjithashtu peshën e arit për shandanët prej ari dhe për llambat e tyre prej ari, duke treguar peshën e çdo shandani dhe të llambave të tij, dhe peshën e argjendit për shandanët prej argjendi, duke treguar peshën e çdo shandani dhe të llambave të tij, sipas përdorimit të çdo shandani. I dha gjithashtu, duke treguar peshën, arin për tryezat e bukëve të paraqitjes, për çdo tryezë, dhe argjendin për tryezat prej argjendi, dhe arin e kulluar për pirunët e mëdhenj, për legenët e vegjël dhe për kupat, dhe arin, duke treguar peshën për kupat prej ari, për çdo kupë, dhe argjendin, duke treguar peshën për kupat prej argjendi, për çdo kupë. I dha gjithashtu ar të kulluar për altarin e temjanit, duke treguar peshën, dhe për modelin e qerres, domethënë, kerubinët prej ari që hapnin krahët dhe mbulonin arkën e besëlidhjes të Zotit. "Tërë kjo", tha Davidi, "m'u dha e shkruar nga dora e Zotit, që më bëri të kuptoj tërë punimet e këtij projekti". Davidi i tha pastaj të birit Salomon: "Ji i fortë dhe trim, përvishju punës, mos ki frikë dhe mos u trondit, sepse Zoti Perëndi, Perëndia im, do të jetë me ty. Ai nuk do të lërë dhe nuk do të braktisë derisa të mbarosh tërë punën për shërbimin e shtëpisë të Zotit.