Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Kronikave 21:1-14

1 Kronikave 21:1-14 AL1

Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin t'i numëronte izraelitët. Davidi i tha Joabit e prijësve të popullit: «Shkoni e numërojini izraelitët nga Bersheba në Dan dhe ma sillni numrin, që ta di». Por Joabi i tha: «ZOTI e shumoftë popullin e vet njëqindfish, por a nuk janë ata të gjithë shërbëtorët e timzoti, o imzot mbret? Pse po e kërkon këtë, imzot? Pse duhet të bjerë ky faj mbi Izraelin?». Por fjala e mbretit e detyroi Joabin, prandaj ai shkoi gjithandej në Izrael e u kthye në Jerusalem. Joabi i dorëzoi Davidit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej një milion e njëqind mijë burra në Izrael dhe katërqind e shtatëdhjetë mijë burra në Judë. Ndër ta nuk kishte numëruar as levitët, as fisin e Benjaminit, sepse urdhri i mbretit i ishte dukur i neveritshëm Joabit. Perëndisë nuk i pëlqeu kjo gjë, prandaj e ndëshkoi Izraelin. Davidi i tha Perëndisë: «Mëkatova shumë me këtë që bëra. Por, po të përgjërohem, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe». Atëherë ZOTI i tha Gadit, vegimtarit të Davidit: «Shko e thuaji Davidit se kështu thotë ZOTI: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty». Gadi erdhi te Davidi e i tha se kështu thotë ZOTI: «Zgjidh për vete, ose tri vjet zi buke, ose tre muaj arrati nga armiqtë e tu, shpata e të cilëve do të jetë më e fortë, ose tri ditë nën shpatën e ZOTIT, me murtajën, që merr dhenë, dhe me engjëllin e ZOTIT që shkreton Izraelin skaj më skaj. Prandaj, shihe vetë çfarë duhet t'i përgjigjem atij që më dërgoi». Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e ZOTIT, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!». Atëherë ZOTI dërgoi murtajën në Izrael dhe ranë shtatëdhjetë mijë vetë.