Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Kronikave 21:1-14

1 i Kronikave 21:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin t'i numëronte izraelitët. Davidi i tha Joabit e prijësve të popullit: «Shkoni e numërojini izraelitët nga Bersheba në Dan dhe ma sillni numrin, që ta di». Por Joabi i tha: «ZOTI e shumoftë popullin e vet njëqindfish, por a nuk janë ata të gjithë shërbëtorët e timzoti, o imzot mbret? Pse po e kërkon këtë, imzot? Pse duhet të bjerë ky faj mbi Izraelin?». Por fjala e mbretit e detyroi Joabin, prandaj ai shkoi gjithandej në Izrael e u kthye në Jerusalem. Joabi i dorëzoi Davidit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej një milion e njëqind mijë burra në Izrael dhe katërqind e shtatëdhjetë mijë burra në Judë. Ndër ta nuk kishte numëruar as levitët, as fisin e Benjaminit, sepse urdhri i mbretit i ishte dukur i neveritshëm Joabit. Perëndisë nuk i pëlqeu kjo gjë, prandaj e ndëshkoi Izraelin. Davidi i tha Perëndisë: «Mëkatova shumë me këtë që bëra. Por, po të përgjërohem, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe». Atëherë ZOTI i tha Gadit, vegimtarit të Davidit: «Shko e thuaji Davidit se kështu thotë ZOTI: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty». Gadi erdhi te Davidi e i tha se kështu thotë ZOTI: «Zgjidh për vete, ose tri vjet zi buke, ose tre muaj arrati nga armiqtë e tu, shpata e të cilëve do të jetë më e fortë, ose tri ditë nën shpatën e ZOTIT, me murtajën, që merr dhenë, dhe me engjëllin e ZOTIT që shkreton Izraelin skaj më skaj. Prandaj, shihe vetë çfarë duhet t'i përgjigjem atij që më dërgoi». Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e ZOTIT, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!». Atëherë ZOTI dërgoi murtajën në Izrael dhe ranë shtatëdhjetë mijë vetë.

1 i Kronikave 21:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit. Kështu Davidi i tha Joabit dhe krerëve të popullit: "Shkoni dhe bëni regjistrimin e izraelitëve nga Beer-Sheba deri në Dan; pastaj më paraqitni raportin që unë të di numrin e tyre". Joabi u përgjigj: "Zoti e shumëzoftë popullin e tij njëqind herë aq. Por, o mbret, o imzot, a nuk janë vallë të gjithë shërbëtorë të zotërisë sime? Pse zoti im kërkon një gjë të tillë? Pse e bën fajtor Izraelin?". Por kërkesa e mbretit mbizotëroi mbi atë të Joabit. Prandaj Joabi u nis, e përshkoi tërë Izraelin dhe u kthye pastaj në Jeruzalem. Joabi i dërgoi Davidit shifrat e regjistrimit të popullsisë; në të gjithë Izraelin kishte një milion e njëqind mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën dhe në Judë katërqind e shtatëdhjetë mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën. Por në regjistrimin e këtyre Joabi nuk përfshiu Levin dhe Beniaminin, sepse për të kërkesa e mbretit ishte e neveritshme. Kjo gjë nuk i pëlqeu Perëndisë, prandaj e goditi Izraelin. Kështu Davidi i tha Perëndisë: "Kam bërë një mëkat shumë të madh duke bërë këtë gjë; por tani, të lutem, hiqja paudhësinë shërbëtorit tënd, sepse unë kam vepruar shumë pa mend". Atëherë Zoti i foli Gadit, shikuesit të Davidit, duke i thënë: "Shko e i thuaj Davidit: "Kështu thotë Zoti: Unë të propozoj tri gjëra: zgjidh njërën nga këto dhe unë do ta kryej për ty"". Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: Zgjidh ose tre vjet zi buke, ose tre muaj shkatërrimesh përpara kundërshtarëve të tu, gjatë të cilave shpata e armiqve të tu do të të zërë, ose tri ditë shpate të Zotit, me fjalë të tjera murtaja në vend, gjatë të cilave engjëlli i Zotit do të të sjellë shkatërrim në të gjithë territorin e Izraelit. Tani më bëj të ditur përgjigjen që duhet t'i jap atij që më ka dërguar". Davidi i tha Gadit: "Unë jam në një ankth të madh! Oh, më mirë unë të bija në duart e Zotit sepse është shumë i mëshirshëm, por të mos bija në duart e njerëzve!". Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe vdiqën shtatëdhjetë mijë Izraelitë.