Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Kronikave 16:8-36

1 Kronikave 16:8-36 AL1

Përlëvdoni ZOTIN, thirreni emrin e tij, shpallni mes popujve veprat e tij. Këndojini atij e thurini lavde, kumtoni të gjitha mrekullitë e tij. Krenohuni me emrin e tij të shenjtë, e zemra i ngazëlleftë kujtdo që kërkon ZOTIN. Kërkojeni ZOTIN e fuqinë e tij, kërkoni përherë fytyrën e tij. Kujtoni mrekullitë që bëri, çuditë e gjykimet e gojës së tij, o pasardhës të Izraelit, shërbëtorit të tij, bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij. Ai është ZOTI, Perëndia ynë, mbi mbarë dheun vendimet e tij. Kujtojeni përherë besëlidhjen e tij, fjalën që urdhëroi për një mijë brezni, besëlidhjen që bëri me Abrahamin, premtimin që i dha Isakut. Ia caktoi si rregull Jakobit, Izraelit si besëlidhje përjetë, kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit si pjesë të trashëgimisë suaj», kur ishit të hequr në numër, të paktë e ardhacakë, tek endeshin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një tjetër popull. Nuk lejoi t'i shtypte askush, mbretërit për hir të tyre i qortoi: «Mos m'i prekni të vajosurit, profetët e mi mos i lëndoni». Le t'i këndojë ZOTIT dheu mbarë, shpëtimin e tij përditë kumtoni. Ndër kombe rrëfejeni lavdinë e tij, mrekullitë e tij ndër popuj mbarë, se i madh është ZOTI e fort i lavdërueshëm, më i tmerrshëm se të gjithë perënditë. Se mbarë perënditë e popujve janë të kotë, por ZOTI bëri qiejt. Shkëlqim e madhështi para tij, në vendin e tij fuqi e hare. Jepini ZOTIT, o familjet e popujve, jepini ZOTIT lavdi e fuqi, jepini ZOTIT lavdinë e emrit të tij! Kushtojini fli e dilni para tij, adhuroni ZOTIN veshur me shkëlqim. Le të dridhet para tij mbarë toka, se botës i vë themel e ajo nuk do të trandet. Le të ngazëllejë qielli e të gëzojë toka, le të thuhet ndër popuj: «ZOTI mbretëron». Le të ushtojë deti me gjithçka në të, e fusha me gjithçka në të le të galdojë. Atëherë do të brohorasin pemët e pyllit para ZOTIT që vjen për ta gjykuar tokën. Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Thoni: «Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë, mblidhna e çlirona nga kombet, që ta falënderojmë emrin tënd të shenjtë, të mburremi duke të të lavdëruar. Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i Izraelit, nga mot e përgjithmonë!». Mbarë populli u përgjigj: «Amen» e «Lavdi Zotit».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë