Zanafilla 8
8
Përfundimi i përmbytjes
1Perëndia u kujtua për Noeun e të gjitha kafshët e egra dhe bagëtitë që ishin me të në arkë. Ai dërgoi një erë mbi tokë e ujërat u ulën. 2Burimet e humnerës dhe kanatet e qiellit u mbyllën. Shiu nga qielli pushoi. 3Ujërat sa vinin e tërhiqeshin nga toka dhe pas njëqind e pesëdhjetë ditësh u pakësuan. 4Në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shtatë arka u ndal mbi malet e Araratit. 5Ujërat vazhduan të pakësoheshin deri në muajin e dhjetë. Në ditën e parë të muajit të dhjetë u dukën majat e maleve.
6Pasi kaluan dyzet ditë, Noeu hapi dritaren e arkës që kishte bërë 7dhe lëshoi një korb që shkonte e vinte derisa u thanë ujërat mbi tokë. 8Pastaj lëshoi një pëllumb për të parë nëse ujërat ishin ulur nga faqja e dheut. 9Por pëllumbi nuk gjeti ku të vinte këmbën e u kthye tek ai në arkë, sepse ujërat mbulonin tërë faqen e tokës. Kështu Noeu zgjati dorën, e kapi dhe e futi në arkë. 10Pasi priti shtatë ditë të tjera, e lëshoi përsëri pëllumbin nga arka. 11Pëllumbi erdhi tek ai në mbrëmje, dhe ja, në sqep mbante një gjethe ulliri të sapokëputur. Noeu e kuptoi që ujërat ishin tërhequr nga toka. 12Pastaj priti edhe shtatë ditë të tjera. E lëshoi edhe një herë pëllumbin dhe ky nuk u kthye më. 13Në ditën e parë të muajit të parë të vitit gjashtëqind e një, ujërat u thanë nga toka dhe Noeu hoqi mbulesën e arkës. Vështroi dhe, ja, faqja e tokës ishte tharë. 14Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dytë toka u tha.
15Atëherë Perëndia i tha Noeut: 16«Dil nga arka, ti bashkë me gruan tënde, me bijtë e tu e me gratë e bijve të tu. 17Të gjitha kafshët e çdo lloji që janë me ty, shpendët, bagëtitë e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë, nxirri që të mbushin tokën, të shtohen e të shumohen mbi tokë». 18Kështu, Noeu doli bashkë me të bijtë, të shoqen e gratë e bijve të tij. 19Tërë kafshët, zvarranikët e shpendët, gjithçka që lëviz mbi tokë, dolën nga arka sipas specieve të tyre.
Premtimi i Perëndisë
20Pastaj Noeu i ngriti një altar Zotit e mbi të i kushtoi një fli shkrumbimi nga çdo kafshë e shpend i pastër. 21Zoti ndjeu erën e këndshme e tha në zemrën e vet: «Nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së tij janë të liga që në moshë të re. Dhe as nuk do t'i godas më gjallesat, siç bëra.
22Sa të jetë toka,
të mbjellat e të korrat,
i ftohti e i nxehti,
vera e dimri,
dita e nata,
nuk do të marrin fund».
Одоогоор Сонгогдсон:
Zanafilla 8: AL
Тодруулга
Хуваалцах
Хувилах
Тодруулсан зүйлсээ бүх төхөөрөмждөө хадгалмаар байна уу? Бүртгүүлэх эсвэл нэвтэрнэ үү
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020