Psalmet 22
22
1Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?
2O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.
3Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.
4Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.
5Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.
6Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.
7Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,
8duke thënë: "Ai i ka besuar Zotit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".
9Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënës; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi gjinjtë e nënës sime.
10Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënës sime.
11Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.
12Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;
13ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.
14Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.
15Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.
16Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.
17Unë mund t'i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.
18Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.
19Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.
20Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.
21Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m'u përgjigje.
22Unë do t'u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.
23Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.
24Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.
25Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t'i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.
26Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
27Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
28Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
29Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.
30Pasardhësit do t'i shërbejnë; do t'i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.
31Ata do të vijnë dhe do t'i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.
Currently Selected:
Psalmet 22: ALBB
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in