Gjoni 9
9
1Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.
2Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?''.
3Jezusi u përgjigj: ''As ai, as prindërit e tij s'kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.
4Unë duhet t'i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.
5Derisa jam në botë, unë jam drita e botës''.
6Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të.
7Pastaj i tha: ''Shko, lahu në pellgun e Siloamit'' (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.
8Atëherë fqinjët dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: ''A s'është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?''.
9Disa thoshin: ''Ai është''. Të tjerë: ''I përngjan atij''. Dhe ai thoshte: ''Unë jam''.
10I thanë pra: ''Si të janë hapur sytë?''.
11Ai u përgjigj dhe tha: ''Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m'i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m'u kthye drita e syve''.
12Dhe ata i thanë: ''Ku është ai?''. Ai u përgjigj: ''Nuk e di''.
13Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër.
14Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë.
15Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: ''Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh''.
16Atëherë disa farisenj thanë: ''Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!''. Të tjerë thoshin: ''Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?''. Dhe kishte përçarje midis tyre.
17E pyetën, pra, përsëri të verbrin: ''Po ti, ç'thua për atë për faktin që t'i ka hapur sytë?''. Ai tha: ''Është një profet''.
18Por judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.
19Dhe i pyetën ata: ''A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?''.
20Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: ''E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,
21por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t'ju flasë për veten e vet''.
22Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga judenjtë; sepse judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga.
23Prandaj prindërit e tij thanë: ''Moshë ka, pyeteni atë''.
24Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ''Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar''.
25Ai atëherë u përgjigj dhe tha: ''Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh''.
26E pyetën përsëri: ''Ç'të bëri? Si t'i ka hapur sytë?''.
27Ai u përgjigj atyre: ''Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?''.
28Por ata e fyen dhe thanë: ''Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut!
29Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është''.
30Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: ''E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m'i hapi sytë!
31Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush i druhet Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon!
32Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t'ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër.
33Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë''.
34Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Ti ke lindur i tëri në mëkate e do të na mësosh?''. Dhe e nxorën jashtë.
35Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: ''A beson ti në Birin e Perëndisë?''.
36Ai u përgjigj dhe tha: ''Kush është, Zot, që unë të besoj në të?''.
37Dhe Jezusi i tha: ''Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet''.
38Atëherë ai tha: ''Unë besoj, o Zot''; dhe e adhuroi.
39Pastaj Jezusi tha: ''Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen''.
40Disa nga farisenjtë që ishin me të i dëgjuan këto gjëra dhe i thanë: ''Jemi të verbër edhe ne?''.
41Jezusi u përgjigj atyre: ''Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat; por tani thoni: "Ne shohim", prandaj mëkati juaj mbetet''.
Currently Selected:
Gjoni 9: ALBB
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in