YouVersion Logo
Search Icon

Marku 8

8
1Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s'kishin ç'të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre:
2''Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç'të hajë.
3Dhe po t'i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg''.
4Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ''Si do të mund t'i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?''.
5Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''.
6Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.
7Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës.
8Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.
9Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.
10Dhe menjëherë hipi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.
11Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.
12Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: ''Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t'i jepet asnjë shenjë''.
13Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.
14Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s'kishin asgjë përveç një buke.
15Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: ''Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!''.
16Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: ''Nuk kemi bukë''.
17Jezusi e vuri re dhe u tha: ''Përse diskutoni që s'keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?
18Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?
19Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?''. Ata thanë: ''Dymbëdhjetë''.
20''Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?''. Dhe ata thanë: ''Shtatë''.
21Dhe ai u tha atyre: ''Po si, ende nuk po kuptoni?''.
22Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.
23Atëherë e mori për dore të verbrin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.
24Dhe ai, duke hapur sytë, tha: ''Po shoh njerëz si pemë që ecin''.
25Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.
26Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: ''Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat''.
27Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cezaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: ''Kush thonë njerëzit se jam unë?''.
28Ata u përgjigjën: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët''.
29Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam?''. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: ''Ti je Krishti''.
30Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të.
31Pastaj nisi t'u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.
32Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.
33Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: ''Largohu nga unë, Satan, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!''.
34Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: ''Kushdo që do të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,
35sepse ai që do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.
36Ç'dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?
37Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?
38Sepse kujtdo që do t'i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t'i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë''.

Currently Selected:

Marku 8: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in