YouVersion Logo
Search Icon

Levitiku 24

24
1Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2"Urdhëro bijtë e Izraelit të të sjellin vaj të pastër ullinjsh të shtypur për dritën e shandanit, për t'i mbajtur llambat vazhdimisht të ndezura.
3Në çadrën e mbledhjes, jashtë velit që është përpara dëshmisë, Aaroni do të kujdeset për vazhdimësinë nga mbrëmja deri në mëngjes para Zotit. Është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj.
4Ai do të kujdeset për llambat e shandanit prej floriri të pastër që janë para Zotit, për vazhdimësinë.
5Do të marrësh majë mielli dhe me të do të pjekësh dymbëdhjetë kulaç; çdo kulaç do të jetë dy të dhjetat e efës.
6Do t'i vendosësh në dy radhë, gjashtë në çdo radhë, mbi tryezën prej ari të pastër, përpara Zotit.
7Dhe në çdo radhë do të vësh temjan të pastër, i cili ka për të qenë një kujtim mbi bukën, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin.
8Çdo të shtunë ai do t'i vendosë bukët përpara Zotit, në vazhdimësi; ato do të merren nga bijtë e Izraelit; kjo është një besëlidhje e përjetshme.
9Bukët i përkasin Aaronit dhe bijve të tij, dhe këta do t'i hanë në një vend të shenjtë, sepse do të jenë një gjë shumë e shenjtë për atë midis flijimeve të bëra me zjarr para Zotit. Është një ligj i përjetshëm".
10Ndërkaq biri i një gruaje izraelite dhe i një egjiptasi doli në mes të bijve të Izraelit; dhe ndërmjet djalit të gruas izraelite dhe një izraeliti plasi një grindje.
11Biri i izraelites blasfemoi emrin e Zotit dhe e mallkoi atë; kështu e çuan te Moisiu. (Nëna e tij quhej Shelomith, ishte e bija e Dibrit, nga fisi i Danve).
12E futën në burg, derisa t'u tregohej vullneti i Zotit.
13Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
14"Çoje atë blasfemues jashtë kampit; të gjithë ata që e kanë dëgjuar të vënë duart e tyre mbi kokën e tij dhe gjithë asambleja ta vrasë me gurë.
15Pastaj folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Kushdo që mallkon Perëndinë e tij, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.
16Dhe kushdo që e shan emrin e Zotit do të dënohet me vdekje; tërë asambleja do ta vrasë me gurë. I huaj apo i lindur në vend, ai që blasfemon emrin e Zotit do të dënohet me vdekje.
17Kush ia heq jetën një njeriu, do të vritet.
18Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë: jetë për jetë.
19Kur dikush i shkakton një dëmtim fqinjit të tij, ai do të pësojë po atë që i ka bërë tjetrit;
20thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb; ai do të pësojë po atë gjymtim që u ka shkaktuar të tjerëve.
21Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë; por ai që ia heq jetën një njeriu do të vritet.
22Do të keni të njëjtin ligj për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj".
23Pastaj Moisiu u foli bijve të Izraelit, të cilët e çuan jashtë kampit atë blasfemues dhe e vranë me gurë. Kështu bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Currently Selected:

Levitiku 24: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

Video for Levitiku 24