YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 7

7
1Atëherë Zoti i tha Noeut: "Hyr në arkë bashkë me tërë familjen tënde, sepse pashë se je i drejtë para meje në këtë brez.
2Nga çdo lloj kafshe të pastër merr shtatë çifte, meshkuj e femra, si dhe nga kafshët jo të pastra një çift, mashkull dhe femër;
3edhe nga zogjtë e qiellit merr shtatë çifte, meshkuj e femra, për të ruajtur gjallë farën e tyre mbi faqen e tërë dheut;
4sepse mbas shtatë ditëve do të bëj që të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet net me radhë, dhe do të shfaros nga faqja e dheut tërë qeniet e gjalla që kam krijuar".
5Dhe Noeu bëri pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti.
6Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur mbi tokë ndodhi përmbytja e ujërave.
7Kështu Noeu u fut në arkë bashkë me bijtë e tij, me të shoqen dhe me gratë e bijve të tij, për shkak të ujërave të përmbytjes.
8Nga kafshët e pastra dhe nga kafshët jo të pastra, nga zogjtë e nga të gjitha llojet që zvarriten mbi tokë,
9erdhën dy nga dy para Noeut, në arkë, një mashkull e një femër, ashtu si e kishte porositur Perëndia atë.
10Në fund të shtatë ditëve, ujërat e përmbytjes mbuluan tokën.
11Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën.
12Dhe ra shi mbi tokë për dyzet ditë dhe dyzet net.
13Po atë ditë hynë në arkë Noeu dhe bijtë e tij Semi, Kami dhe Jafeti, gruaja e Noeut si dhe tri gratë e bijve të tij me ta;
14ata dhe të gjitha bishat sipas llojit, tërë bagëtia sipas llojit të saj, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokën sipas llojit të tyre, tërë zogjtë sipas llojit të tyre, tërë zogjtë e çfarëdo lloji.
15Ata erdhën te Noeu në arkë, dy nga dy, prej çdo mishi që ka frymë jete;
16hynë, mashkull e femër, nga çdo mish, ashtu si Perëndia e kishte porositur Noeun; pastaj Zoti i mbylli brenda.
17Dhe përmbytja ra mbi tokë për dyzet ditë me radhë; dhe ujërat u rritën dhe e ngritën arkën lart mbi tokë.
18Ujërat u shtuan dhe u rritën shumë mbi tokë, arka pluskonte mbi sipërfaqen e ujërave.
19Dhe ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan.
20Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kubitë mbi to; dhe malet u mbuluan prej tyre.
21Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit.
22Vdiq çdo gjë që ishte mbi tokën e thatë dhe që kishte frymë jete në vrimat e hundës.
23Dhe të gjitha gjallesat që ishin mbi faqen e dheut u shfarosën: duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, te gjarpërinjtë dhe zogjtë e qiellit; ato u shfarosën nga toka dhe shpëtoi vetëm Noeu bashkë me ata që ishin me të në arkë.
24Dhe ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.

Currently Selected:

Zanafilla 7: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in