Zanafilla 3
3
1Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"".
2Dhe gruaja iu përgjigj gjarprit: "Nga fruta e pemëve të kopshtit mund të hamë;
3por nga fruta e pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni"".
4Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s'keni për të vdekur aspak;
5por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen".
6Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruta e saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai.
7Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar.
8Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit.
9Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?".
10Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha".
11Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?".
12Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra".
13Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj".
14Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.
15Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj".
16Gruas i tha: "Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty".
17Pastaj i tha Adamit: "Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: "Mos ha prej saj", toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frytin e saj me mund tërë ditët e jetës sate.
18Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave;
19do të hash bukën me djersën e ballit, derisa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh".
20Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve.
21Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.
22Dhe Zoti Perëndi tha: "Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t'i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë përgjithnjë".
23Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë.
24Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.
Currently Selected:
Zanafilla 3: ALBB
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in