YouVersion Logo
Search Icon

Esdra 6

6
1Atëherë mbreti Dar urdhëroi që të bëheshin kërkime në shtëpinë e arkivave ku ruheshin thesaret në Babiloni;
2dhe në Ahmetha, në kështjellën që është në provincën e Medisë, u gjet një rrotull, dhe në të një dokument të shkruar kështu:
3"Në vitin e parë të mbretit Kir, mbreti Kir u shpall një urdhëresë lidhur me shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem: "Të rindërtohet tempulli, vendi ku ofrohen flijime. Të hidhen mirë themelet e tij. Të ketë një lartësi prej gjashtëdhjetë kubitësh dhe një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh,
4me tri radhë gurësh të mëdhenj dhe një radhë lëndë të re druri; dhe shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror.
5Përveç kësaj, veglat prej ari dhe prej argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari ka hequr nga tempulli që është në Jeruzalem dhe i ka çuar në Babiloni, të rikthehen dhe të çohen në tempullin që është në Jeruzalem; dhe secila të vihet në vendin e vet në shtëpinë e Perëndisë".
6Tani, pra, Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët tuaj, afarsekitët, që ndodhen matanë Lumit, rrini larg këtij vendi!
7Lini që të vazhdojë puna për këtë shtëpi të Perëndisë; qeveritari i judenjve dhe pleqtë e judenjve ta rindërtojnë këtë shtëpi të Perëndisë në vendin e saj.
8Përveç kësaj po lëshoj një urdhër për atë që duhet të bëni për pleqtë e judenjve në rindërtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë; këtyre njerëzve t'u paguhen tërë shpenzimet nga të ardhurat e mbretit që vijnë nga taksat e mbledhura matanë Lumit, me qëllim që punimet të mos ndërpriten.
9Gjërat e nevojshme për holokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa u lënë gjë mangët kërkesave të priftërinjve që janë në Jeruzalem,
10me qëllim që t'i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij.
11Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrembëron këtë dekret, t'i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij.
12Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Dari, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".
13Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar.
14Kështu pleqtë e judenjve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhrit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artakserksit, mbretit të Persisë.
15Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.
16Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë.
17Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin.
18Pastaj vendosën priftërinjtë sipas klasave të tyre dhe levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jeruzalem, ashtu siç është shkruar në librin e Moisiut.
19Të kthyerit nga robëria e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë,
20sepse priftërinjtë dhe levitët ishin pastruar bashkërisht; të gjithë ishin të pastër. Atëherë e flijuan Pashkën për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për veten e tyre.
21Kështu bijtë e Izraelit që ishin kthyer nga robëria e hëngrën Pashkën bashkë me tërë ata që ishin ndarë nga papastërtia e popujve të vendit dhe që ishin bashkuar me ta për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit.
22Dhe kremtuan me gëzim shtatë ditë me radhë festën e të Ndormëve, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke përkulur në favor të tyre zemrën e mbretit të Asirisë, kështu që t'i bënte më të fuqishme duart e tyre për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.

Currently Selected:

Esdra 6: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in