YouVersion Logo
Search Icon

Danieli 8

8
1Në vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Belshatsar, unë, Danieli, pata një vegim, pas atij që pata në fillim të mbretërimit.
2Pashë në vegim dhe, ndërsa po shikoja, më ndodhi të gjendesha në qytezën e Suzas, që është në krahinën e Elamit; nga vegimi e kuptova që isha pranë lumit Ulai.
3Ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, pranë lumit pashë më këmbë një dash me dy brirë; të dy brirët ishin të lartë, por njëri ishte më i lartë se tjetri, megjithëse më i larti kishte dalë i fundit.
4Pashë dashin që godiste kundrejt perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut; asnjë kafshë nuk mund t'i rezistonte, askush nuk mund të çlirohej nga pushteti i tij; kështu ai bëri atë që desh dhe u bë i madh.
5Ndërsa kisha parasysh këtë, ja, ku po vinte nga perëndimi një cjap, që përshkonte tërë sipërfaqen e dheut pa e prekur tokën; cjapi kishte një bri të madh midis syve të vet.
6Arriti deri te dashi me dy brirë që kisha parë më këmbë përpara lumit, dhe iu hodh kundër me furinë e forcës së tij.
7E pashë të afrohet dhe të zemërohet kundër tij; pastaj i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij, ndërsa dashi nuk kishte fuqi për t'i rezistuar; kështu e hodhi për tokë dhe askush nuk mundi ta çlirojë dashin nga pushteti i këtij.
8Cjapi u bë shumë i madh; por, kur u bë i fuqishëm, briri i tij i madh u thye; në vend të tij dolën katër brirë të mëdhenj, që drejtoheshin drejt katër erërave të qiellit.
9Nga një prej tyre doli një bri i vogël, që u bë shumë i madh në drejtim të jugut, të lindjes dhe të vendit të lavdishëm.
10U rrit derisa arriti ushtrinë e qiellit, bëri të bjerë për tokë një pjesë e ushtrisë dhe e yjeve dhe i shkeli.
11U ngrit madje deri te komandanti i ushtrisë, i hoqi flijimin e vazhdueshëm dhe vendi i shenjtërores së tij u shemb.
12Ushtria iu la në dorë bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; ai hodhi për tokë të vërtetën; bëri tërë këto gjëra dhe i shkoi mbarë.
13Pastaj dëgjova një të shenjtë që fliste, dhe një i shenjtë tjetër i tha atij që fliste: "Deri kur do të vazhdojë ky vegim: ndalimi i flijimit të përditshëm, shkretimi për shkak të paudhësisë, shenjtërorja dhe ushtria të shkelur?"
14Ai më tha: "Deri dymijë e treqind ditë; pastaj shenjtërorja do të pastrohet".
15Tani, ndërsa unë, Danieli, e kisha parasysh vegimin dhe përpiqesha ta kuptoja, ja ku po rri para meje dikush që ka pamje burri.
16Dëgjova pastaj në mes të lumit Ulai zërin e një burri, që bërtiste dhe thoshte: "Gabriel, shpjegoja këtij vegimin".
17Ai iu afrua vendit ku ndodhesha unë dhe, kur arriti, unë pata frikë dhe rashë me fytyrë. Por ai më tha: "Kuptoje mirë, o bir njeriu, sepse ky vegim ka të bëjë me kohën e fundit".
18Ndërsa ai fliste me mua, unë rashë në një gjumë të rëndë me fytyrë për tokë, por ai më preku dhe më bëri të ngrihem më këmbë në vendin ku ndodhesha.
19Dhe tha: "Ja, unë do të të tregoj atë që ka për të ndodhur në kohën e fundit të indinjatës, sepse ka të bëjë me kohën e caktuar të fundit.
20Dashi me dy brirë, që ti ke parë, përfaqëson mbretërit e Medisë dhe të Persisë.
21Cjapi leshtor është mbreti i Javanit; dhe briri i madh që ishte në mes të syve të tij është mbreti i parë.
22Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin nga ky komb, por jo me të njëjtën fuqi të tij.
23Në fund të mbretërisë së tyre, kur rebelët do ta kenë mbushur kupën, do të dalë një mbret me pamje të egër dhe i rrahur në dredhitë luftarake.
24Fuqia e tij do të rritet, por jo për shkak të forcës së tij; do të bëjë shkatërrime të habitshme, do të ketë sukses në ndërmarrjet e tij dhe do të shkatërrojë të fuqishmit dhe popullin e shenjtorëve.
25Për shkak të dinakërisë së tij do shtohet mashtrimi në duart e tij; do të krenohet në zemër te vet dhe do të shkatërrojë shumë njerëz që janë në siguri; do të ngrihet kundër princit të princave, por do të thyhet jo nga dorë njeriu.
26Vegimi i mbrëmjeve dhe i mëngjeseve, për të cilin është folur, është i vërtetë. Ti e mban sekret vegimin, sepse ka të bëjë me gjëra që do të ndodhin mbas shumë kohe".
27Dhe unë, Danieli, e ndjeva veten të sfilitur dhe qeshë i sëmurë disa ditë; pastaj u ngrita dhe u interesova për punët e mbretit. Unë isha i tronditur nga vegimi, por askush nuk e vuri re.

Currently Selected:

Danieli 8: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in