2 i Kronikave 6
6
1Atëherë Salomoni tha: "Zoti ka shpallur se do të banojë në renë e dendur.
2Dhe unë kam ndërtuar për ty një shtëpi të madhërishme, në vendin ku do të banosh përjetë".
3Pastaj mbreti u kthye dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit, ndërsa tërë asambleja e Izraelit qëndronte më këmbë.
4Pastaj tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që ka kryer me fuqinë e tij atë që i kishte premtuar me gojën e vet atit tim David, duke thënë:
5"Nga dita që nxora popullin tim të Izraelit nga vendi i Egjiptit, unë nuk kam zgjedhur asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një shtëpi, ku emri im të mbetej, dhe nuk kam zgjedhur njeri që të bëhet princ mbi popullin tim të Izraelit,
6por kam zgjedhur Jeruzalemin, që emri im të mbetet aty, dhe kam zgjedhur Davidin që të mbretërojë mbi popullin tim të Izraelit".
7Davidi, ati im, kishte në zemër të ndërtonte një tempull, në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit,
8por Zoti i tha Davidit, atit tim: "Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një tempull në emrin tim, dhe ke bërë mirë që ke pasur një gjë të tillë në zemër;
9por nuk do të jesh ti që do ta ndërtosh tempullin, por biri yt që ka për të dalë nga ijët e tua, do të jetë ai që do ta ndërtojë tempullin në emrin tim".
10Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte shqiptuar, dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim dhe u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte premtuar Zoti, dhe ndërtova tempullin në emrin e Zotit, Perëndisë të Izraelit.
11Aty vendosa arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai ka bërë me bijtë e Izraelit"
12Pastaj Salomoni zuri vend para altarit të Zotit, përballë asamblesë së Izraelit dhe shtriu duart
13(Salomoni në fakt kishte ndërtuar një tribunë prej bronzi, të gjatë pesë kubitë, të gjerë pesë kubitë dhe të lartë tre kubitë, dhe e kishte vendosur në mes të oborrit; ai hipi në të, u gjunjëzua para tërë asamblesë së Izraelit, zgjati duart në drejtim të qiellit),
14dhe tha: "O Zot, o Perëndi i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as në qiell, as në tokë. Ti i përmbahesh besëlidhjes dhe mëshirës ndaj shërbëtorëve të tu që ecin përpara teje me gjithë zemër.
15Ti me shërbëtorin tënd David, atin tim, e mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.
16Prandaj tani o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje me shërbëtorin tënd David, atin tim, atë që i ke premtuar duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjë nga ata që ulen në fronin e Izraelit, me kusht që bijtë e tu të kujdesen për sjelljen e tyre dhe të ecin sipas ligjit tim ashtu si ke ecur ti përpara meje".
17Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, u bëftë fjala që i ke thënë shërbëtorit tënd David!
18Por a është në fakt e vërtetë që Perëndia banon me njerëzit në tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë, aq më pak ky tempull që unë kam ndërtuar!
19Megjithatë, o Zot, Perëndia im, kushtoji vëmendje lutjes së shërbëtorit tënd dhe kërkesës së tij, duke dëgjuar britmën dhe lutjen që shërbëtori yt të drejton ty.
20Sytë e tu janë drejtuar ditë e natë ndaj këtij tempulli, në drejtim të vendit që ke thënë: "Atje do të jetë emri im", për të dëgjuar lutjet që shërbëtori yt do të bëjë duke u kthyer në drejtim të këtij vendi.
21Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të luten të kthyer nga ky vend. Dëgjo nga vendi i banesës sate, nga qiejt; dëgjo dhe fali.
22Në qoftë se ndokush kryen një mëkat kundër të afërmit të tij dhe, i detyruar të betohet, vjen të betohet përpara altarit tënd në këtë tempull,
23ti dëgjo nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij, dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë hak.
24Kur populli yt i Izraelit do të mundet nga armiku sepse ka mëkatuar kundër teje, në rast se kthehet te ti dhe lëvdon emrin tënd, në rast se të lutet dhe të përgjërohet në këtë tempull,
25dëgjo nga qielli dhe fale mëkatin e popullit tënd të Izraelit, dhe bëje të kthehet në vendin që i ke dhënë atij dhe etërve të tij.
26Kur qielli do të jetë i mbyllur dhe nuk do të ketë shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se ata luten të drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke përulur,
27ti dëgjo nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, të Izraelit, duke u mësuar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd.
28Kur në vend do të ketë zi buke apo murtajë, ndryshk ose blozë, dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku do t'i rrethojë në vendin e tyre, o në qytetet e tyre, kur do të pëlcasë një fatkeqësi ose një epidemi çfarëdo,
29çdo lutje, çdo kërkesë për falje që do të të drejtohet nga çfarëdo individ apo nga tërë populli yt i Izraelit, kur secili ka pranuar plagën e tij dhe dhembjen e tij dhe ka zgjatur duart e tij ndaj këtij tempulli,
30ti dëgjo nga qielli, vend i banesës sate, dhe fali; dhe jepi secilit sipas sjelljes së vet, ti që njeh zemrën e secilit (vetëm ti në të vërtetë njeh zemrën e bijve të njerëzve),
31me qëllim që ata të të kenë frikë dhe të ecin në rrugët e tua për gjithë kohën që do të jetojnë në vendin që u ke dhënë etërve tanë.
32Kur i huaji, që nuk i përket popullit të Izraelit, do të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd të madh, të dorës sate të fuqishme dhe të krahut tënd të shtrirë, kur do të vijë të të lutet duke u kthyer nga ky tempull,
33ti dëgjo nga qielli, nga vendi i banesës sate, dhe jepi të huajit ato që të kërkon, me qëllim që tërë popujt e tokës të njohin emrin tënd dhe të kenë frikë nga ti, ashtu si bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmendet në këtë tempull që kam ndërtuar.
34Kur populli yt do të hyjë në luftë kundër armiqve të tij duke ndjekur rrugën nëpër të cilën e dërgove, në rast se të luten duke u drejtuar ndaj këtij qyteti që ti ke zgjedhur dhe ndaj tempullit që unë kam ndërtuar në emrin tënd,
35dëgjo nga qielli lutjen dhe kërkesën për falje dhe përkrah çështjen e tyre.
36Kur do të kryejnë mëkate kundër teje (sepse nuk ka njeri që të mos kryejë mëkate) dhe ti, i zemëruar kundër tyre, do t'i braktisësh në dorë të armiqve që do t'i internojnë në një vend të largët ose të afërt,
37në qoftë se në vendin ku janë internuar vijnë në vete, kthehen ndaj teje dhe të luten fort në vendin e robërisë së tyre, duke thënë: "Kemi kryer mëkate, kemi vepruar padrejtësisht, kemi bërë të keqen",
38në rast se kthehen me gjithë zemër dhe me tërë shpirt në vendin e robërisë së tyre ku janë shpërngulur dhe të luten duke u drejtuar ndaj vendit të tyre, ndaj qytetit që ti ke zgjedhur dhe tempullit që kam ndërtuar në emrin tënd,
39dëgjo nga qielli, vend i banesës sate, lutjen dhe përgjërimin e tyre, përkrah çështjen e tyre dhe fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje!
40Tani, o Perëndia im, mbaj sytë hapur dhe dëgjo me vëmendje lutjen që bëhet në këtë vend!
41Tani, pra, çohu, o Zot Perëndi, dhe eja në vendin e çlodhjes sate, ti dhe arka e forcës sate. Qofshin priftërinjtë e tu, o Zot Perëndi, të veshur me shpëtimin dhe u ngazëllofshin në mirësi shenjtorët e tu.
42O Zot Perëndi, mos e kthe fytyrën e të vajosurit tënd; mbaj mend favoret që i ke bërë Davidit, shërbëtorit tënd!".
Currently Selected:
2 i Kronikave 6: ALBB
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in