YouVersion Logo
Search Icon

1 i Samuelit 30

30
1Kur Davidi dhe njerëzit e tij arritën në Tsiklag ditën e tretë, amalekitët kishin kryer një plaçkitje në Negev dhe në Tsiklag; kishin pushtuar Tsiklagun dhe i kishin vënë zjarrin;
2kishin zënë robër gratë dhe tërë ata që ndodheshin aty, të vegjël a të rritur; nuk kishin vrarë asnjeri, por i kishin marrë me vete dhe kishin shkuar.
3Kur Davidi dhe njerëzit e tij arritën në qytet, ja, qyteti ishte shkatërruar nga zjarri, dhe gratë, bijtë dhe bijat e tyre i kishin marrë me vete si robër.
4Atëherë Davidi dhe tërë ata që ishin me të ngritën zërin dhe qanë, derisa nuk patën forcë të qajnë.
5Dy bashkëshortet e Davidit, jezreelitja Ahinoama dhe karmelitja Abigail, e cila kishte qenë bashkëshorte e Nabalit, figuronin gjithashtu midis robërve.
6Davidi ishte shqetësuar shumë se njerëzit flisnin për ta vrarë atë me gurë, sepse të gjithë e kishin shpirtin të trishtuar për shkak të bijve dhe të bijave të tyre; por Davidi u forcua tek Zoti, Perëndia i tij.
7Pastaj Davidi i tha priftit Abiathar, birit të Ahimelekut: "Të lutem, më sill efodin". Abiathari i solli efodin Davidit.
8Kështu Davidi u këshillua me Zotin dhe e pyeti: "A duhet ta ndjek këtë bandë? Do ta arrij?". Zoti iu përgjigj: "Ndiqe, sepse do ta arrish me siguri dhe do të rimarrësh pa tjetër çdo gjë".
9Kështu Davidi u nis me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete dhe arriti në përruan Besor, ku u ndalën ata që kishin mbetur prapa;
10por Davidi vazhdoi ndjekjen me katërqind njerëz, kurse dyqind mbetën prapa, sepse ishin tepër të lodhur për të kapërcyer përruan e Besorit.
11Gjetën në fushë një egjiptas dhe ia çuan Davidit. I dhanë bukë për të ngrënë dhe ujë për të pirë;
12i dhanë gjithashtu një copë bukë fiku dhe dy vile rrushi. Pasi hëngri, ai e mblodhi veten, sepse nuk kishte ngrënë bukë as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri net me radhë.
13Davidi e pyeti: "Ti kujt i përket dhe nga vjen?". Ai u përgjigj: "Jam një egjiptas i ri, shërbëtor i një amalekiti; pronari im më braktisi, sepse tri ditë më parë u sëmura.
14Kemi bërë një plaçkitje në jug të kerethenjve, në territorin e Judës dhe në jug të Tsalebit, dhe i kemi vënë zjarrin Tsiklagut".
15Davidi i tha: "A mund të më çosh poshtë ku ndodhet kjo bandë?". Ai u përgjigj: "Betomu në emër të Perëndisë që nuk do të më vrasësh dhe nuk do të më dorëzosh në duart e pronarit tim, dhe unë do të çoj poshtë, aty ku gjendet kjo bandë".
16Dhe e çoi poshtë; dhe ja amalekitët ishin shpërndarë në të gjithë vendin; hanin, pinin dhe bënin festë për plaçkën e madhe që kishin sjellë nga vendi i filistenjve dhe nga vendi u Judës.
17Davidi i sulmoi nga muzgu deri në mbrëmjen e ditës tjetër; asnjeri prej tyre nuk shpëtoi, përveç katërqind të rinjve që u hipën deveve dhe ia mbathën.
18Kështu Davidi rimori të gjitha ato që amalekitët kishin marrë me vete; Davidi gjeti edhe dy gratë e tij.
19Kështu ata nuk humbën asgjë, as të vegjlit as të rriturit, as bijtë as bijat, as plaçkat dhe as ndonjë gjë tjetër që u kishin marrë. Davidi i rimori të gjitha.
20Kështu Davidi shtiu në dorë kopetë e bagëtisë së imët dhe tufat e bagëtisë së trashë; dhe ata që ecnin para bagëtive thoshin: "Kjo është plaçka e Davidit!".
21Pastaj Davidi arriti te dyqind njerëzit që kishin qenë tepër të lodhur për të shkuar pas Davidit që ai i kishte lënë në përruan e Besorit. Këta i dolën para Davidit dhe njerëzve që ishin me të. Kështu Davidi iu afrua atyre dhe i përshëndeti.
22Atëherë tërë njerëzit e këqij dhe të poshtër që kishin shkuar me Davidin filluan të thonë: "Me qenë se këta nuk erdhën me ne; nuk do t'u japim asgjë nga plaçka që kemi shtënë në dorë, përveç grave dhe fëmijëve të secilit; t'i marrin dhe të ikin!".
23Por Davidi tha: "Mos u sillni kështu, o vëllezërit e mi, me atë që Zoti na ka dhënë duke na mbrojtur dhe duke vënë në duart tona bandën që kishte ardhur kundër nesh.
24Po kush do t'ju dëgjojë në këtë propozim? E njëjtë ka për të qenë pjesa e atij që shkon për të luftuar dhe e atij që rri pranë plaçkave; do t'i ndajmë pjesët bashkë".
25Qysh prej asaj dite u veprua kështu; Davidi e bëri atë statut dhe normë për Izraelin deri në ditën e sotme.
26Kur Davidi u kthye në Tsiklag, një pjesë të plaçkës ua dërgoi pleqve të Judës, miq të tij, duke thënë: "Ja një dhuratë e ardhur nga plaçka që u morëm armiqve të Zotit".
27U dërgoi atyre të Bethelit, të Ramothit të Negevit dhe atyre të Jatirit,
28atyre të Areorit, atyre të Sifmothit, atyre të Eshtemoas,
29atyre të Rakalit, atyre të qyteteve të jerameelitëve dhe atyre të qyteteve të kenenjve,
30atyre të Hormahut, atyre të Kor-Ashanit, atyre të Athakut,
31atyre të Hebronit dhe atyre të të gjithë vendeve nga kishte kaluar Davidi me njerëzit e tij.

Currently Selected:

1 i Samuelit 30: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in