YouVersion Logo
Search Icon

1 i Samuelit 22

22
1Pastaj Davidi u nis që andej dhe u strehua në shpellën e Adulamit; kur vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij e mësuan, zbritën aty poshtë tek ai.
2Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe o që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta.
3Që andej Davidi shkoi në Mitspah të Moabit dhe i tha mbretit të Moabit: "Lejo që ati dhe nëna ime të vijnë dhe të banojnë me ju, derisa unë të mësoj se çfarë do të bëjë Perëndia për mua".
4Kështu ai i çoi para mbretit të Moabit, dhe ata qëndruan me të tërë kohën që Davidi ndodhej në fortesë.
5Pastaj profeti Gad i tha Davidit: "Mos qëndro më në fortesë, por nisu dhe shko në vendin e Judës". Atëherë Davidi u nis dhe shkoi në pyllin e Herethit.
6Kur Sauli mësoi që Davidi dhe njerëzit që ishin me të qenë zbuluar (Sauli ndodhej atëherë në Gibeah poshtë nën drurin e marinës në Ramah, me ushtën e tij në dorë dhe të gjithë shërbëtorët e tij e rrethonin).
7Sauli u tha shërbëtorëve që i rrinin rreth e qark: "Më dëgjoni tani, beniaminitë! Biri i Isait do t'ju japë juve ara dhe vreshta. Do t'ju bëjë të gjithëve komandantë të mijësheve dhe qindësheve?
8Të gjithë ju keni komplotuar, dhe asnjë nga ju nuk më ka informuar për besëlidhjen, që im bir ka lidhur me birin e Isait; dhe nuk ka asnjë prej jush që t'i vijë keq për mua dhe të më njoftojë që im bir ka ngritur kundër meje shërbëtorin tim që të më kurdisë kurthe siç bën sot?".
9U përgjigj atëherë idumeu Doeg, që rrinte në krye të shërbëtorëve të Saulit, dhe tha: "Unë e pashë birin e Isait kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, bir i Ahitubit;
10ky është këshilluar me Zotin lidhur me të, i dha ushqime dhe i dorëzoi shpatën e filisteut Goliath".
11Atëherë mbreti dërgoi të thërrasin priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë shtëpinë e atit të tij, priftërinjtë që ishin në Nob; dhe ata erdhën të gjithë te mbreti.
12Sauli tha: "Tani dëgjo, o bir i Ahitubit!". Ai u përgjigj: Ja ku jam, o imzot".
13Sauli i tha: "Pse ti dhe biri i Isait keni komplotuar kundër meje, duke i dhënë bukë dhe një shpatë, dhe je këshilluar me Perëndinë lidhur me të, me qëllim që të ngrihet kundër meje dhe të më kurdisë kurthe siç bën sot?".
14Atëherë Ahimeleku iu përgjigj mbretit, duke thënë: "Po midis gjithë shërbëtorëve të tu kush është besnik si Davidi, dhëndër i mbretit, i gatshëm nën urdhrat e tua dhe i nderuar në shtëpinë tënde?
15Vallë sot kam filluar të këshillohem me Perëndinë për të? Mos qoftë kurrë, që mbreti të akuzojë për gjëra të tilla shërbëtorin e tij apo dikë nga shtëpia e atit tim, sepse shërbëtori yt nuk dinte asgjë nga tërë kjo, as pak e as shumë".
16Mbreti tha: "Ti me siguri ke për të vdekur, Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia e atit tënd!".
17Atëherë mbreti urdhëroi rojet që e rrethonin: "Kthehuni dhe vritni priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata mbajnë anën Davidit dhe e dinin që ai kishte ikur, por nuk më njoftuan". Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të zgjatnin duart për të goditur priftërinjtë e Zotit.
18Atëherë mbreti i tha Doegut: "Kthehu ti dhe godit priftërinjtë!". Kështu idumeu Doeg u kthye dhe goditi priftërinjtë; atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë persona që mbanin efodin prej liri.
19Sauli goditi gjithashtu me shpatë Nobin, qytetin e priftërinjve, burrat, gratë, të vegjlit, foshnjat e gjirit, lopët, gomarët dhe delet; i vrau të gjithë me shpatë.
20Megjithatë një nga bijtë e Ahimelekut, bir i Ahitubit, i quajtur Abiathar, shpëtoi dhe u strehua pranë Davidit.
21Abiathari i njoftoi Davidit që Sauli kishte vrarë priftërinjtë e Zotit.
22Davidi i tha Abiatharit: "Unë e dija mirë atë ditë që idumeu Doeg, i cili ndodhej aty, pa dyshim do ta lajmëronte Saulin. Unë jam shkaktari i vdekjes të të gjithë personave të shtëpisë së atit tënd.
23Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt.

Currently Selected:

1 i Samuelit 22: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in