Psalmet 96
96
1Këndojini Zotit një këngë të re!
Le t'i këndojë Zotit dheu mbarë!
2Këndojini Zotit, bekoni emrin e tij,
shpëtimin e tij ditë për ditë kumtoni!
3Rrëfeni ndër kombe lavdinë e tij,
ndër popuj mbarë mrekullitë e tij!
4Se i madh është Zoti e fort i lavdërueshëm,
më i tmerrshëm se të gjithë perënditë.
5Se gjithë perënditë e popujve janë të kotë,
por Zoti bëri qiejt.
6Para tij shkëlqim e madhështi,
në shenjtëroren e tij fuqi e bukuri.
7Jepini Zotit, o fiset e popujve,
Jepini Zotit lavdi e fuqi!
8Jepini Zotit lavdinë e emrit të tij,
kushtojini fli dhe ejani në oborret e tij!
9Adhuroni Zotin e stolisur me shenjtëri;
mbarë toka le të dridhet para tij!
10U thoni kombeve se Zoti mbretëron,
ai i vuri themelet botës e nuk do të trandet,
ai do t'i gjykojë popujt me drejtësi.
11Le të ngazëllejë qielli e le të gëzojë toka,
le të ushtojë deti e gjithçka brenda tij!
12Le të dëfrejë fusha e gjithçka në të,
gjithë drurët e pyllit le të brohorasin
13para Zotit, se ja tek vjen,
ja tek vjen për të gjykuar tokën!
Do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me besnikërinë e tij.
Currently Selected:
Psalmet 96: AL
Highlight
Share
Copy
![None](/_next/image?url=https%3A%2F%2Fimageproxy.youversionapi.com%2F58%2Fhttps%3A%2F%2Fweb-assets.youversion.com%2Fapp-icons%2Fen.png&w=128&q=75)
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020