Luka 7
7
Besimi i kryeqindësit
(Mt 8.5-13; Gjn 4.43-54)
1Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum. 2Aty gjendej një kryeqindës që kishte një shërbëtor, të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur. 3Kur dëgjoi për Jezuin, kryeqindësi dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t'i luteshin të vinte për t'i shëruar shërbëtorin. 4Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh, 5sepse e do popullin tonë e na ka ndërtuar edhe sinagogën». 6Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur kryeqindësi dërgoi disa miq për t'i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time. 7Prandaj nuk m'u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. 8Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi e kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». 9Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me kryeqindësin. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh».
10Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e kryeqindësit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.
Ngjallja e djalit të vejushës
11Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij dhe nga një turmë e madhe. 12Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte. 13Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!». 14Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!». 15I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma. 16Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe: «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet».
17Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth.
Të dërguarit e Gjon Pagëzorit
(Mt 11.2-19)
18Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre 19e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 20Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?”». 21Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve. 22Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 23Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».
24Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 25Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore. 26Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 27Gjoni është ai për të cilin është shkruar:
ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim
përpara teje,
që të përgatisë udhën tënde.
28Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai».
29Të gjithë ata që e dëgjuan këtë gjë, përfshirë edhe tagrambledhësit, pranuan se Perëndia është i drejtë dhe u pagëzuan nga Gjoni. 30Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit iu kundërvunë vullnetit të Perëndisë e nuk u pagëzuan nga Gjoni.
31Pastaj Jezui tha: «Me kë t'i krahasoj njerëzit e kësaj breznie, me kë ngjajnë? 32Ata u ngjajnë fëmijëve që ulen shesheve dhe i thërrasin njëri-tjetrit e i thonë:
“I ramë fyellit për ju
e nuk kërcyet,
vajtuam
e ju nuk qatë”.
33Erdhi Gjon Pagëzori, që as ha bukë e as pi verë, e ju thoni: “Është i pushtuar nga djalli”. 34Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi, e ju thoni: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. 35Por urtia e Perëndisë del e drejtë nga të gjithë bijtë e saj».
Falja e gruas mëkatare
36Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë. 38Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t'ia lagte këmbët me lot e t'ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t'ia puthte këmbët e t'ia lyente me mirrë. 39Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare». 40Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë». Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues». 41I tha: «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë. 42Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?». 43Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh». E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt». 44Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m'i lau me lotët e saj e m'i thau me flokët e saj. 45Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia sapo hyra brenda. 46Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m'i leu këmbët me mirrë. 47Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri». 48Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet». 49Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që falka edhe mëkatet?». 50Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».
Currently Selected:
Luka 7: AL
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020