YouVersion Logo
Search Icon

Marku 7

7
Për doket
1Ferisejtë e disa nga shkruesit erdhën prej Jerusalemit e u mblodhën rreth tij. 2Tue pa disa prej nxanësve të tij tek hanin bukë me duer të përdhosuna, domethanë të palame,
3- se farisejtë e të gjithë judejtë nuk hanë pa i la mirë duert, meqë kapen mbas dokes së të vjetërve, 4e nuk hanë as nga tregu nëse nuk kryejnë lamjen, por mbajnë edhe shumë doke që i kanë pranue, si dlirja e kupave, e brokave, e enëve të bakrit dhe e shtrojave -
5farisejtë e shkruesit e pyetën: «Pse nuk jetojnë nxanësit e tu simbas traditës së të vjetërve e hanë bukë me duer të përdhosuna?».
6Por ai iu përgjigj: «Mirë profetizoi Isaia për ju shtiracakë, siç asht e shkrueme:
Ky popull më nderon me buzë,
por zemra e tyne asht larg meje.
7Kot më adhurojnë,
se u mësojnë të tjerëve
mësimet e urdhnesat e njerëzve.
8Ju lini ligjin e Hyut e kapeni mbas traditës së njerëzve». 9E u tha: «Bukur e hidhni poshtë ligjin e Hyut, për me vu traditën e tuej. 10Megjithëse Moisiu tha: "Ndero atin tand e nanën tande" dhe "Kush flet keq për atin a për nanën të dënohet me vdekje", 11por ju thoni: "Nëse nji njeri i thotë atit apo nanës: 'asht kurban, domethanë kushtim, dobia që do të kishe prej meje', 12a nuk e lejoni me ba kurrgja për atin apo për nanën, 13tue ia heqë zotësinë fjalës së Hyut për traditën tuej, të cilën e përçoni. E veprime të kësisojshme bani shumë».
14Atëherë e thirri prapë turmën e u tha: «Më ndigjoni e merrni vesh! 15-16Nuk ka asgja përjashta njeriut, që, tue hy mbrenda tij, mundte me e përdhosë, por çka del prej njeriut asht ajo që e përdhos njeriun».
17Kur hyni në shtëpi, mbasi u nda nga turma, nxanësit e pyetën për shëmballtyrën. 18Ai u tha: «Kështu qenkeni të paaftë me kuptue edhe ju? Nuk e merrni vesh se gjithçka që prej përjashta hyn në njeriun nuk mundet me e përdhosë, 19se hyn jo në zemër, por në stomak e zbrazet në gjiriz?». Kështu i shpalli të pastra të tana ushqimet.
20Dhe tha: «Çka del prej njeriut, ajo e përdhos njeriun, 21se prej përmbrenda zemrës së njerëzve dalin mendimet e liga, kurvnitë, hajnitë, vrasjet, 22kunorëshkeljet, grykësitë, ligësitë, mashtrimet, shfrenitë, syni i keq, shamja, krenia, marria. 23Të tana këto të liga dalin prej përmbrenda dhe e përdhosin njeriun».
Grueja sirofenikase
24Atëherë u çue prej aty e shkoi në trojet e Tirit. Hyni në nji shtëpi e nuk donte me e marrë vesh askush, megjithatë nuk mundi me e ndalë lajmin. 25Përkundër, nji grue ndigjoi menjiherë për të. Ajo kishte nji vajzë të vogël me nji shpirt të padlirë. Erdhi e u hodh te kambët e tij. 26Ishte greke, me prejardhje sirofenikase. Ajo iu lut me nxjerrë djallin prej vajzës së saj të vogël. 27Ai i tha: «Leni fëmijët të ngihen ma parë, se nuk asht mirë me marrë bukën e fëmijëve e me ua hedhë klyshve».
28Ajo u përgjigj e i tha: «Zot, edhe klyshtë nën tryezë hanë prej dramcave të fëmijëvë».
29E ai i tha: «Falë këtynë fjalëve, shko. Djalli ka dalë prej vajzës tande». 30Kur ajo shkoi në shtëpinë e vet, e gjeti fëmijën të shtrime në shtrat dhe djalli kishte dalë.
Shërimi i të shurdhtit
31Kur po dilte prapë prej trojeve të Tirit, kaloi nëpër Sidon, drejt detit të Galilesë, përmes trojeve të Dekapojës. 32I sollën nji shurdh që mezi fliste dhe iu lutën t'i vinte dorën.
33Ai e mori më vete, larg turmës, i vuni gishtat në veshë, pështyu e i preku gjuhën. 34Mandej shikoi nalt në qiell, fshau e i tha: «Effatha!», që don me thanë: «Hapu!». 35E menjiherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës e foli drejt.
36Atëherë i urdhnoi të mos i thoshin askujt, por sa ma shumë t'i urdhnonte, aq ma shumë kumtonin. 37Ishin tejet të mahnitun e thoshin: «Të tana i ka ba mirë. Edhe shurdhët i ban ma ndigjue, edhe memecët me folë!».

Currently Selected:

Marku 7: DHRG

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in