YouVersion Logo
Search Icon

Marku 4

4
Bujku
1Prapë filloi me i mësue buzë detit dhe te ai u mblodh nji turmë shumë e madhe, aq sa hipi në një varkë, për me ndenjtë në det, ndërsa tanë turma ishte në tokë, buzë detit. 2I mësonte me shumë shëmbëlltyra dhe, tue i mësue, u tha: 3«Ndigjoni! Ja, doli mbjellësi me mbjellë. 4Ndodhi që, kur ishte tue mbjellë, e hodhi ndanë udhës, por erdhën shpendët dhe e hangrën. 5Tjetrën e hodhi në zall, ku nuk kishte shumë dhè, e menjëherë mbiu, se nuk kishte thellësi dheu. 6Por, kur u ngrit dielli, u përcëllue e, mbasi nuk kishte rranjë, u tha. 7Tjetrën e hodhi ndër ferra, por u rritën ferrat dhe e furën, prandaj nuk dha fryt. 8Tjetrën e hodhi në tokë të mirë e dha fryt, tue u rritë e tue u harbue, prandaj nji prodhoi tridhjetë, nji gjashtëdhjetë e nji njiqind».
9Atëherë u tha: «Kush ka veshë me ndigjue, të ndigjojë!».
Synimi i shëmbëlltyrave
10Kur mbeti vetëm, ata që kishte përreth, bashkë me të dymbëdhjetët, e pyetën për shëmbëlltyrat. 11U tha: «Juve ju asht dhanë e fshehtësia e mbretnisë së Hyut, kurse atyne që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra, 12që,
tue pa, të shohin,
por të mos ndërmenden;
tue ndigjue, të ndigjonjnë,
por të mos kuptojnë,
që të mos kthehen e t'u falet».
Kuptimi i shëmbëlltyrës
13Atëherë u tha: «Nuk e dikeni këtë shëmbëlltyrë e si mund t'i njihni shëmbëlltyrat e tjera? 14Mbjellësi mbjell fjalën. 15Këta janë ata bri udhës ku mbillet fjala dhe, mbasi ta kenë ndigjue, menjiherë vjen Satani dhe e heq fjalën që asht mbjellë në ta. 16Këta janë ata të mbjellë në zall, të cilët, kur e ndigjojnë fjalën, e pranojnë fill me gëzim, 17por nuk kanë rrajë në vete e janë të përkohshëm. Mbasi të vijë pikëllimi e përndjekja për shkak të fjalës, zvirdhen menjëherë.
18Të tjerët janë ata të mbjellë ndër ferra. Këta janë ata që e ndigjojnë fjalën, 19por angaritë e kohës dhe joshja e pasunisë e epshi për gjana të tjera futen dhe e furin fjalën e bahet shterpë. 20Por të tillët janë ata që u mbollën në tokë të mirë, që e ndigjojnë fjalën dhe e pranojnë, prandaj japin fryt, nji tridhjetë, nji gjashtëdhjetë e nji njiqind».
Kandili dhe masat
21Atëherë u tha: «Mos vjen kandili për me u vu nën magjë apo nën shtrat e jo për me u vu mbi shandan? 22Nuk ka gja të fshehtë, përpos që me u shfaqë, as bahet e fshehtë, përpos që me dalë në pah. 23Kush ka veshë me ndigjue, të ndigjojë».
24Dhe u tha: «Kqyrni çka ndigjoni: me atë masë me të cilën matni do të matet edhe për ju e do t'ju shtohet, 25se kush ka, atij do t'i jepet e kujt nuk ka do t'i merret».
Rritja e mbretërisë
26E tha: «Kështu asht mbretnia e Hyut: si njeriu që hodhi farën në tokë. 27Edhe po të flejë edhe po të rrijë çuet, edhe natën edhe ditën, fara bin e rritet dhe ai nuk e din si. 28Vetvetiu toka prodhon ma parë kërcyellin, mandej kallinin, mandej kokrrën e plotë në kalli. 29Kur të piqet fryti, çon menjëherë drapnin, se janë të korrat».
Fara e sinapit
30Dhe tha: «Si ta përngjajmë mbretninë e Hyut, ose me cilën shëmbëllesë ta parashtrojmë? 31Si kokrra e sinapit, që, kur mbillet në dhè, asht ma e vogla ndër të tana farat që gjenden mbi dhè, 32por, kur mbillet, naltohet e bahet ma e madhja ndër të tana barishtet dhe hedh degë të mëdha, aq sa nën hijen e tij shpendtë e qiellit munden me vu strofullën e vet».
Randësia e shëmbëlltyrave
33Me shumë shëmbëlltyra të tilla ua thoshte fjalën, aq sa kishin mundësi me ndigjue. 34Pa shëmbëlltyra nuk u fliste, por nxanësve të vet ua shtjellonte të gjitha më vete.
Qetësimi i stuhisë
35Atë ditë, kur ra mbramja, u tha: «Të kalojmë në bregun tjetër». 36Mbasi e lanë turmën, e morën siç ishte në një lundër. Edhe disa lundra të tjera ishin me të. 37Fryu nji furtunë e madhe ere dhe dallgët përplaseshin me lundrën, aq sa e mbushën lundrën.
38Ai ishte në kiç, mbi një nënkresë, tue fjetë. Atëherë e çojnë e i thonë: «Mësues, a s'të bahet vonë se po rroposemi?».
39Ai u zgjue, i bërtiti erës e i tha detit: «Mej, qetësohu!». Era pushoi e ra fashitje e thellë. 40Mandej u tha: «Pse jeni tutësa? Nuk keni ende fe?».
41Por ata tuteshin prej frikës së madhe e i thoshin njani-tjetrit: «Kush asht, bre, ky, që edhe era edhe deti i binden?».

Currently Selected:

Marku 4: DHRG

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in