Tobia 14
14
Porositë e fundit të Tobitit
1Kështu përfunduan fjalët falënderuese të Tobitit.
2Ai vdiq në paqe kur ishte njëqind e dymbëdhjetë veç dhe u varros me nderim në Ninivë. Kur u verbua kishte qenë gjashtëdhjetë e dy vjeç. Pasi iu kthye shikimi, jetoi në begati dhe bënte bamirësi. Ai e bekonte gjithnjë Perëndinë dhe shpallte madhështinë e Perëndisë.
3Kur ishte duke vdekur, thirri birin e vet Tobinë, i dha këto porosi e i tha: «Bir, nisu me fëmijët 4e nxito për në Medë, se unë i besoj fjalës së Perëndisë për Ninivën, që e kumtoi Naumi. Gjithçka do të ndodhë e do të bjerë mbi Asirinë e Ninivën, siç e kanë thënë profetët e Izraelit, që i ka dërguar Perëndia. Të gjitha do të zbatohen e nuk do të mbetet pa u kryer asnjë nga të gjitha fjalët, por të gjitha do të kryhen në kohën e vet. Në Medë do të ketë më shumë siguri se në Asiri e në Babiloni. Unë e di dhe e besoj se çfarë ka thënë Perëndia do të ndodhë e do të kryhet dhe nuk do t'i dalë huq asnjë fjalë. Vëllezërit tanë, që banojnë në dheun e Izraelit, do të shpërndahen të gjithë e do të shpërngulen larg tokës së tyre të dashur. Tërë toka e Izraelit do të mbetet e shkretë. Edhe Samaria e Jerusalemi do të kthehen në shkretëtirë dhe tempulli i Perëndisë do të zhytet në pikëllim e do të mbetet i djegur për njëfarë kohe. 5Pastaj Perëndia do të ketë mëshirë për ta përsëri dhe do t'i kthejë në tokën e Izraelit. Ata do ta ndërtojnë tempullin, por jo si të parin, derisa të vijë koha, kur të përmbushet koha e caktuar. Pas këtyre, do të kthehen nga mërgimi të gjithë dhe do ta ndërtojnë Jerusalemin siç i ka hije. Edhe tempulli i Perëndisë do të ndërtohet, siç kanë thënë për të profetët e Izraelit. 6Të gjitha kombet e mbarë dheut do të pendohen dhe do ta druajnë Perëndinë me të vërtetë. Do t'i braktisin të gjithë idhujt e vet, që i kanë mashtruar me gënjeshtër dhe i kanë bërë të birren, dhe do ta bekojnë Perëndinë e amshimit me drejtësi. 7Të gjithë izraelitët që do të shpëtojnë në ato ditë dhe që do të kujtohen për Perëndinë me të vërtetë, do të mblidhen, do të shkojnë në Jerusalem e do të banojnë përgjithmonë të qetë në tokën e Abrahamit, që do t'u jepet në dorëzim. Ata që e duan Zotin me të vërtetë do të gëzohen, por ata që bëjnë mëkat e padrejtësi do të zhduken nga mbarë dheu. 8Tani, bijtë e mi, po ju porosis t'i shërbeni Perëndisë me vërtetësi dhe bëni ç'është e pëlqyeshme para tij. Edhe bijtë tuaj duhet të porositen të veprojnë siç është e drejtë dhe të japin lëmoshë, të kujtohen për Perëndinë e të bekojnë emrin e tij në çdo kohë me vërtetësi e me të gjithë forcën e tyre. Tani, bir, ik nga Niniva e mos rri këtu. 9Pasi ta kesh varrosur nënën tënde pranë meje, atë ditë nuk duhet të rrish brenda kufijve të Ninivës. Unë shoh se paudhësia është shtuar në të, se ka shumë mashtrim dhe askush nuk ka turp. 10Shiko, bir, çfarë i ka bërë Nadabi Ahiharit, atij që e rriti. A nuk e shtiu në dhe për së gjalli? Por Perëndia ia përplas fajtorit në fytyrë çnderimin. Ahihari doli në dritë, ndërsa Nadabi hyri në errësirën e amshuar, se u përpoq të vriste Ahiharin. Falë bamirësisë që kishte bërë, Ahihari i shpëtoi kurthit vdekjeprurës, që i kishte ngritur Nadabi, ndërsa Nadabi ra në atë kurth dhe rrënoi veten. 11Tani, o bij, shikoni ç'bën bamirësia e ç'bën padrejtësia. Kjo sjell vdekjen. Por, ja, po më lë fryma».
Vdekja e Tobitit dhe e Anës
E shtrinë Tobitin në shtrojën e vet dhe ai vdiq. Pastaj e varrosën me nderim. 12Kur vdiq e ëma, Tobia e varrosi pranë të atit dhe u nis për në Medë me grua e fëmijë. U vendos në Ekbatanë, te vjehrri i vet, Ragueli. 13Ai u kujdes për vjehërrinë me nderim dhe i varrosi në Ekbatanë të Medës. Pastaj mori trashëgiminë e Raguelit e të atit të vet, Tobitit. 14Vetë vdiq me nder kur ishte njëqind e shtatëmbëdhjetë vjeç. 15Para se të vdiste pa dhe dëgjoi për shkatërrimin e Ninivës dhe pa të shpërngulurit e sjellë në Medë, ata që i kishte sjellë Ahihari, mbreti i Medës. Ai bekoi Perëndinë për çfarë kishte bërë me bijtë e Ninivës dhe të Asirisë. U gëzua para se të vdiste për çfarë i kishte ndodhur Ninivës dhe bekoi Zotin, Perëndinë e amshuar.
Currently Selected:
Tobia 14: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020