Romakëve 8:28-39
Romakëve 8:28-39 AL1
Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t'u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi. Ç'të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër? Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë. Kush është ai që do t'i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë e ndërmjetëson për ne. Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mos vallë pikëllimi a hidhërimi, përndjekja a uria, të zhveshurit a rreziku apo shpata? Sikurse është shkruar: për ty po na vrasin tërë ditën e na trajtojnë si dele për t'u therur. Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi. Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet, as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë që u tregua në Krishtin Jezu, Zotit tonë.