YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 81

81
1Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i Asafit.
2Ngazëlleni në Perëndinë, forcën tonë,
brohoritni për Perëndinë e Jakobit.
3Merrjani këngës e bjerini dajres,
lirës gazmore e harpës bashkë me të.
4Bjerini bririt për hënën e re,
për hënën e plotë, ditën e të kremtes sonë.
5Se ky është rregull për Izraelin,
vendim i Perëndisë së Jakobit.
6Kjo dëshmi iu dha Jozefit,
kur doli prej tokës së Egjiptit.
Dëgjova një zë që nuk e njihja:
7«Ia hoqa barrën prej shpatullave,
duart prej shportës ia lirova.
8Më thirre në fatkeqësi e të çlirova,
t'u përgjigja i fshehur mes gjëmimit,
tek ujërat e Meribës në provë të vura. selah
9Dëgjomë, o populli im, e do të të qortoj.
Ah, sikur të më dëgjoje, o Izrael!
10Nuk do të ketë te ti perëndi tjetër,
para asnjë perëndie të huaj nuk do të përkulesh.
11Unë jam Zoti, Perëndia yt,
unë të nxora prej tokës së Egjiptit,
hape gojën e do të ta mbush.
12Por populli im nuk ma dëgjoi zërin,
Izraeli nuk më vuri vesh.
13Atëherë i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre
të ecnin sipas shestimeve të tyre.
14Ah, sikur të më dëgjonte populli im!
Ah, sikur të ecte Izraeli udhëve të mia!
15Atëherë do t'i poshtëroja menjëherë armiqtë e tij,
dorën do ta ktheja kundër kundërshtarëve të tij.
16Ata që e urrejnë Zotin do t'i nënshtroheshin,
ky do të ishte fati i tyre në amshim.
17E unë do ta ushqeja me grurin më të mirë,
do ta ngopja me mjaltë prej shkëmbi».

Currently Selected:

Psalmet 81: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in