Psalmet 51:1-15
Psalmet 51:1-15 AL1
Ki mëshirë për mua, o Perëndi, në mirësinë tënde, në dhembshurinë tënde të madhe, fshiji paudhësitë e mia. Lamë tërësisht prej fajit tim, prej mëkatit tim pastromë. I njoh paudhësitë e mia, mëkatin tim e shoh përherë. Ndaj teje, vetëm ndaj teje mëkatova, bëra ligësi para syve të tu. Prandaj, je i drejtë në vendimet e tua dhe i paqortueshëm kur gjykon. Ja, unë linda në paudhësi, në mëkat më ngjizi ime më. Ti e do të vërtetën në brendinë e qenies, ndaj bëmë të njoh urtinë në thellësitë e mia. Pastromë me hisop e do të bëhem i pastër, lamë e do të jem më i bardhë se dëbora. Bëmë të ndiej gëzim e ngazëllim e do të gëzohen eshtrat që thërrmove. Ktheje fytyrën tënde larg mëkateve të mia e fshiji tërë fajet e mia. Krijo tek unë një zemër të pastër, o Perëndi, përtëri brenda meje një shpirt të palëkundur. Mos më dëbo nga prania jote e mos ma hiq shpirtin tënd të shenjtë. Kthema gëzimin e shpëtimit tënd dhe kalit në mua një shpirt vullnetmirë. Do t'u mësoj ligjshkelësve udhët e tua e mëkatarët do të kthehen te ti.