Psalmet 46:1-11
Psalmet 46:1-11 AL1
Perëndia është streha dhe fuqia jonë, ndihmë që na gjendet përherë në ngushticë. Prandaj s'do të trembemi po të lëkundet toka e malet të tranden në zemër të detit. Le të gjëmojnë ujërat, shkumë le të lëshojnë, malet le të dridhen kur të fryhet deti. selah Rrëketë e lumit qytetin e Perëndisë gëzojnë, vendin e shenjtë ku i Tejlarti banon. Mes tij është Perëndia e nuk do të tronditet, ai do ta ndihmojë kur të agojë mëngjesi. Kombet bënë trazira, mbretëritë u tronditën, Zoti gjëmoi e toka u tret. Me ne është ZOTI i ushtrive, streha jonë është Perëndia i Jakobit. selah Ejani e shihni veprat e ZOTIT, ai urdhëroi mjerime mbi tokë. Ai i pushon luftrat anekënd tokës, ai i thyen harqet e copëton ushtat, e qerret me zjarr i djeg. Ndaluni dhe dijeni se unë jam Perëndi. I lartë përmbi kombe, i lartë përmbi tokë.