YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 33

33
1Brohoritni, o besnikë, në Zotin,
të drejtëve u ka hije lavdërimi.
2Kremtojeni Zotin me qeste,
këndojini me harpën me dhjetë tela.
3Këndojini atij një këngë të re,
bjeruni bukur veglave muzikore e brohoritni!
4E drejtë është fjala e Zotit,
të gjitha veprat e tij plot besnikëri.
5Ai e do drejtësinë dhe gjykimin e drejtë,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
6Me fjalën e Zotit u krijuan qiejt,
me frymën e gojës së tij mbarë ushtria qiellore.
7Ujërat e deteve i mblodhi si në një pirg,
thellësitë i mbylli nëpër drithnikë.
8Le ta ketë frikë Zotin mbarë toka,
le të dridhen para tij gjithë banorët e botës.
9Se ai foli e gjithçka u bë,
ai urdhëroi e u përftua.
10 Zoti i zhbën shestimet e kombeve,
mendimet e popujve ai i prish.
11Por shestimi i Zotit mbetet përjetë,
mendimet e zemrës së tij brez pas brezi.
12Lum ai komb që ka për Perëndi Zotin,
ai popull që e zgjodhi si trashëgiminë e vet.
13 Zoti vështron prej qiellit,
mbarë bijtë e njerëzve i shikon.
14Prej vendbanimit të tij
ai shqyrton gjithë banorët e tokës.
15Ai i dha trajtë zemrës së çdo njeriu,
i kupton mbarë veprat e njerëzve.
16Nuk shpëton mbreti falë ushtrisë së madhe
e as luftëtari trim falë fuqisë së tij të madhe.
17Më kot e pret shpëtimin prej kalit,
forca e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.
18Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19që t'ua çlirojë shpirtin nga vdekja,
që t'i mbajë gjallë në kohë urie.
20Shpirti ynë pret Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
21Në të gëzon zemra jonë,
në emrin e tij të shenjtë kemi besim.
22Qoftë mbi ne, o Zot, mirësia jote,
sikurse kemi shpresuar në ty.

Currently Selected:

Psalmet 33: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in