YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 24

24
1Psalm i Davidit.
E Zotit është toka
dhe gjithçka gjendet në të,
bota me gjithë banorët e saj.
2Themelet e saj mbi dete i vuri,
mbi lumenj e ngriti.
3Kush do të ngjitet në malin e Zotit?
Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4Ai që ka duar të pafajshme
e zemër të pastër,
që nuk jepet me shpirt pas kotësive
e nuk bën betim të rremë.
5Ai do të marrë bekim prej Zotit,
drejtësi prej Perëndisë, shpëtimtarit të tij.
6E tillë është breznia e atyre që e kërkojnë,
që kërkojnë fytyrën e Perëndisë së Jakobit. selah
7Ngrijini, o porta, ballinat tuaja!
Lartësohuni, o dyer të amshuara,
që të hyjë mbreti i Lavdisë!
8Kush është ky mbreti i Lavdisë?
Është Zoti i fortë e i fuqishëm,
është Zoti i fuqishëm në betejë!
9Ngrijini, o porta, ballinat tuaja!
Lartësohuni, o dyer të amshuara,
që të hyjë mbreti i Lavdisë!
10Kush është ky mbreti i Lavdisë?
Zoti i ushtrive, ai është mbreti i Lavdisë! selah

Currently Selected:

Psalmet 24: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in