YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 145

145
1Psalm lavdërimi, i Davidit.
Alef
Do të të lartësoj, o Perëndi, Mbreti im,
do ta bekoj emrin tënd përjetë e në amshim.
Bet
2Çdo ditë do të të bekoj,
emrin tënd do ta lavdëroj përjetë e në amshim.
Gimel
3I madh është Zoti e fort i lavdërueshëm,
madhështia e tij e pashqyrtueshme.
Dalet
4Breznia breznisë do t'ia lëvdojë veprat e tua,
do t'i shpallë mrekullitë e tua.
He
5Shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate
dhe veprat e tua të mrekullueshme do të përsiatë.
Vau
6Do të flasin për fuqinë e bëmave të tua,
e unë, do të kumtoj madhështinë tënde.
Zain
7Do të përhapin kujtimin e mirësisë sate të madhe,
do të brohorasin për drejtësinë tënde.
Het
8I mëshirshëm e i dhembshur është Zoti,
i ngadaltë në zemërim e plot mirësi.
Tet
9I mirë është Zoti me të gjithë,
i dhembshur me gjithë krijesat e tij.
Jod
10Gjithë veprat e tua do të të përlëvdojnë, o Zot,
besnikët e tu do të të bekojnë.
Kaf
11Do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate,
do të rrëfejnë për fuqinë tënde.
Lamed
12Do t'u shpallin bijve të njerëzve bëmat e tua
dhe lavdinë e madhështisë së mbretërisë sate.
Mem
13Mbretëria jote është mbretëri e amshuar,
pushteti yt është brez pas brezi.
Samek
14 Zoti i përkrah tërë ata që pengohen
e i ngre tërë të kërrusurit.
Ain
15Të gjithë i kanë sytë nga ti e presin,
që t'u japësh ushqimin në kohën e duhur.
Pe
16Ti e hap dorën
dhe çdo qenieje të gjallë ia plotëson dëshirën.
Cade
17I drejtë është Zoti në gjithë udhët e tij,
besnik në të gjitha veprat e tij.
Kof
18 Zoti është pranë të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi.
Resh
19Ua plotëson dëshirën atyre që e druajnë,
ua dëgjon përgjërimin e i shpëton.
Sin
20 Zoti i mbron të gjithë ata që e duan,
ndërsa tërë të paudhët do t'i shkatërrojë.
Tau
21Goja ime do të shpallë lavdërim për Zotin,
çdo gjallesë do të bekojë emrin e tij të shenjtë,
përjetë e në amshim.

Currently Selected:

Psalmet 145: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in