Psalmet 104
104
1Bekoje Zotin, o shpirti im!
O Zot, Perëndia im, sa i madhërishëm je!
Je veshur me shkëlqim e lavdi,
2dhe mbështillesh me dritën si me rrobë.
Qiellin e shtrin porsi tendë,
3banesat e tua të larta mbi ujëra i ndërton,
retë i bën si karrocë për vete
dhe ecën mbi krahët e erës.
4Erërat i bën lajmëtarë të tu,
flakët e zjarrit shërbestarë të tu.
5Tokën e vendose mbi themelet e saj,
nuk do të lëkundet kurrë.
6E mbulove me humnerë si me rrobë,
ujërat qëndruan mbi male.
7Prej qortimit tënd ikin,
prej zërit të gjëmimit tënd marrin arratinë.
8Ngjiten maleve, zbresin fushave,#104.8 të tjerë: dolën malet dhe luginat u ulën
drejt vendit që u caktove.
9U vure kufi që të mos e kapërcejnë
e të mos kthehen për të mbuluar tokën.
10Ti i dërgon burimet ndër përrenj,
mes maleve ato rrjedhin.
11U japin ujë gjithë kafshëve të fushës,
gomarëve të egër u shuajnë etjen.
12Pranë tyre banojnë zogjtë e qiellit,
mes degëve dëgjohet kënga e tyre.
13Prej banesave të tua të larta u jep ujë maleve,
toka ngopet me frytet e duarve të tua.
14Ti rrit barin për bagëtinë
e bimët në dobi të njeriut,
që të nxjerrë ushqimin nga toka,
15verën që gëzon zemrën e njeriut,
vajin që i ndriçon fytyrën
e bukën që i forcon zemrën.
16Ngihen drurët e Zotit,
cedrat e Libanit që ai mbolli.
17Atje bëjnë fole zogjtë,
bredhat janë banesa e shtërgut.
18Malet e larta janë për dhitë e egra,
shkrepat strehë për vjedullat.
19Bëre hënën për të shënuar stinët
dhe dielli e di kur të perëndojë.
20Hedh errësirën e bëhet natë,
nëpër të enden gjithë egërsirat e pyllit.
21Këlyshët e luanëve ulërijnë për gjah,
nga Perëndia kërkojnë ushqim.
22Kur lind dielli, mblidhen
e shtrihen nëpër strofkat e tyre.
23Njeriu del për punë
e lodhet deri në mbrëmje.
24Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot!
Të gjitha i ke bërë me urti!
Toka është plot me krijesat e tua.
25Ja deti i madh e i gjerë!
Atje ka zvarranikë të panumërt,
gjallesa të vogla e të mëdha.
26Atje lundrojnë anije,
Leviatani që krijove për të luajtur në të.
27Të gjitha presin prej teje
ushqimin në kohën e duhur.
28Ti u jep, ato mbledhin,
ti hap dorën, ato ngihen me të mira.
29Ti fsheh fytyrën, ato tmerrohen,
ua heq frymën, ato ngordhin
e kthehen përsëri në pluhur.
30Ti dërgon frymën tënde, ato krijohen,
ti përtërin faqen e tokës.
31Lavdia e Zotit qëndroftë përjetë!
U gëzoftë Zoti për veprat e tij!
32Ai hedh sytë mbi tokë e ajo dridhet,
prek malet e nxjerrin tym.
33Do t'i këndoj Zotit gjithë jetën time,
do ta përhimnoj Perëndinë tim sa të jem gjallë.
34I pëlqeftë kënga ime
e unë do të ngazëllej në Zotin.
35U zhdukshin mëkatarët nga toka,
të paudhët mos qofshin më.
Bekoje Zotin, o shpirti im!
Aleluja!
Currently Selected:
Psalmet 104: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020