YouVersion Logo
Search Icon

Fjalët e urta 31

31
Thëniet e Lamuelit
1Fjalët e Lamuelit, mbretit të Masës, që ia mësoi e ëma.
2Si vallë, biri im, si vallë, biri i barkut tim?
Si vallë, biri i betimeve të mia?
3Mos ua jep grave fuqinë tënde
e jetën tënde atyre që shfarosin mbretërit.
4Nuk u shkon mbretërve, o Lamuel,
nuk u shkon mbretërve të pinë verë,
as prijësve të dëshirojnë pije të forta,
5se, po të pinë, harrojnë rregullat
e shtrembërojnë çështjen e tërë të mjeruarve.
6Jepini pije të fortë tatëpjetësit
e verë zemërplasurve.
7Të pinë e të harrojnë varfërinë e vet,
të mos e kujtojnë më brengën e vet.
8Fol për memecin,
mbroje çështjen e tërë të mbaruarve.
9Hape gojën për të gjykuar drejt
e mbro të varfrin e nevojtarin.
Gruaja e mbarë
# 31.9-31 Kjo pjesë njihet si akrostike. Çdo rresht numëror fillon me shkronjën vijuese të alfabetit hebraik Alef
10A ka kush e gjen një grua të zonjën?
Më e çmuar se margaritarët vlera e saj.
Bet
11Besim ka tek ajo zemra e burrit të saj
e nuk do t'i mungojë fitimi.
Gimel
12Gëzim i jep ajo e jo hidhërim,
në të gjitha ditët e jetës së saj.
Dalet
13Del e gjen li e lesh,
duart i vë në punë me zell.
He
14Hiqet porsi anije tregtare
që sjell ushqim së largu.
Vau
15Vetë zgjohet që me natë,
për t'i dhënë ushqim shtëpisë
e detyrat shërbëtoreve.
Zain
16Zë e mendon për një arë dhe e blen,
me çfarë ka fituar, mbjell vreshtin.
Het
17Hedh brezin ijëve tërë fuqi,
fort u jep krahëve.
Tet
18Të mbarën e punës së vet shikon
e natën llamba e saj nuk shuhet.
Jod
19Ja, shtrin dorën e merr furkën,
boshtin në pëllëmbë e mban.
Kaf
20Kundrejt skamnorit hap krahët,
kundrejt nevojtarit shtrin dorën.
Lamed
21Le të mos trembet nga dëbora,
se e gjithë familja ka nga dy petka.
Mem
22Mbulojë thur për vete,
vishet me li e mëndafsh.
Nun
23Njeri i njohur është i shoqi në qytet,
kur rri me krerët e vendit.
Samek
24Sajon petka liri për të shitur,
u jep tregtarëve#31.24 ose: kananitëve breza.
Ain
25Ajo është veshur me forcë e nder,
e pret të ardhmen buzagaz.
Pe
26Përherë gojën me urti e hap
e gjuha e saj është mësim mirësie.
Cade
27Caqet e shtëpisë së vet vëzhgon
e nuk ha bukën e përtacisë.
Kof
28Qëndrojnë lart bijtë e saj dhe e lavdërojnë,
i shoqi e përlëvdon kështu:
Resh
29«Rangë kanë bërë shumë gra,
por të gjithave ua ke kaluar!».
Sin
30Shtirake është hijeshia dhe e kotë bukuria,
por gruaja që druan Zotin do të lavdërohet.
Tau
31Thurin lavde veprat e saj për të në qytet.
Jepini asaj nga frytet e duarve të veta.

Currently Selected:

Fjalët e urta 31: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in