YouVersion Logo
Search Icon

Fjalët e urta 21

21
1Zemra e mbretit është si rrjedhë uji në dorën e Zotit,
ai e kthen nga t'ia ketë ënda.
2Njeriut i duken të drejta të gjitha rrugët,
por zemrat i peshon Zoti.
3Të zbatosh të drejtën e drejtësinë
i pëlqen Zotit më shumë se flijimet.
4Dritë e të paudhëve është mëkati,
shikim poshtërues e zemër mburracake.
5Synimet e zelltarit sjellin mbarësi,
por kushdo që ngutet përfundon në skamje.
6Thesaret e mbledhura me gënjeshtra
janë si avulli i davaritur nga ndjekësit e vdekjes.
7Të paudhët i zvarrit dhuna e vet,
sepse i kundërvihen drejtësisë.
8Udha e fajtorit është e shtrembër,
vepra e të pastrit është e drejtë.
9Është më mirë të banosh në qoshen e një pullazi,
se të ndash shtëpinë me një grua grindavece.
10Shpirti i të paudhit dëshiron të keqen
e para tij s'gjen falje as i afërti.
11Kur ndëshkohet përqeshësi, urtohet thjeshtaku,
kur mësohet i urti, nxë dijen.
12I drejti e vëzhgon shtëpinë e të paudhit,
i plandos të paudhët në zezonë.
13Kush mbyll veshët ndaj britmës së skamnorit,
do të bërtasë vetë e nuk do të marrë përgjigje.
14Dhurata e fshehtë zbut zemërimin
mita e dhënë nën dorë, tërbimin.
15I drejti gëzohet kur bëhet drejtësia,
por bakëqijtë tmerrohen.
16Njeriu që shmanget nga udha e mençurisë
do të prehet në botën e hijeve.
17Kush jepet pas kënaqësisë është njeri i skamur,
kush jepet pas verës e vajrave erëmirë nuk do të pasurohet.
18I paudhi do të paguajë për të drejtin,
e i prapi për të mbarin.
19Më mirë të banosh në vend të shkretë,
se me një grua grindavece e zemërake.
20Thesare tërheqëse e vajra erëmirë në shtëpinë e të urtit,
por i përlan i marri.
21Kush ndjek drejtësinë e mirësinë,
do të gjejë jetë, drejtësi e nder.
22I urti e sulmon qytetin e të fortëve,
ia shemb fortesën ku e kishte varur shpresën.
23Kush mban gojën e gjuhën e vet,
ruan veten nga vështirësitë.
24Krenari e mendjemadhi e kanë emrin përqeshës
dhe veprojnë me mburrje të tepërt.
25Përtaci vdes nga dëshirat e veta,
se duart e tij s'duan të punojnë.
26Lakmitari lakmon gjithë ditën,
i drejti jep pa kursim.
27Flija e të paudhit është e neveritshme,
aq më tepër kur kushtohet me prapësi.
28Dëshmitari i rremë do të marrë fund,
por njeriu që dëgjon do të flasë gjithmonë.
29I paudhi vrenjt fytyrën,
por i drejti kalit sjelljen.
30Nuk ka urti, s'ka mençuri
e s'ka këshillë përballë Zotit.
31Kali është mbrehur për ditën e betejës,
por fitorja i përket Zotit.

Currently Selected:

Fjalët e urta 21: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in