YouVersion Logo
Search Icon

Fjalët e urta 17

17
1Më mirë një kafshatë e thatë me qetësi,
se një shtëpi plot gosti e grindje.
2Shërbëtori i mençur e sundon birin që turpëron,
ai do të marrë trashëgiminë ndër vëllezër.
3Për argjendin është shkritorja e për arin furra,
por zemrat i sprovon Zoti.
4Keqbërësi u vë mend fjalëve të mbrapshta,
gënjeshtari i vë vesh gjuhës rrënimtare.
5Kush tallet me skamnorin, fyen krijuesin e tij,
kush gëzohet me kobin nuk mbetet pa ndëshkuar.
6Kurora e pleqve janë bijtë e bijve,
nderi i bijve janë prindërit e tyre.
7Të pamendit s'i shkon e folmja e zgjedhur
e aq më pak të fismit gjuha gënjeshtare.
8Dhurata është gur fati për të zotin,
ngado që të shkojë, përparon.
9Kush e harron fajin, kërkon miqësi,
kush e ritregon, e përçan mikun.
10Një qortim zë vend te një i mençur
më shumë se njëqind të rrahura te një i marrë.
11I ligu kërkon vetëm grindje,
ndaj do t'i dërgohet një lajmës mizor.
12Më mirë të hasësh arushën që i kanë rrëmbyer të vegjlit,
sesa të marrin në çartjen e tij.
13Atij që e kthen të mirën me të keqe,
e keqja s'do t'i hiqet nga shtëpia.
14Fillimi i grindjes është si e çara që hap uji,
lëre zënkën para se të shpërthejë.
15Shfajësimi i të paudhit e dënimi i të drejtit,
të dyja këto i neveriten Zotit.
16Ç'duhen paratë në dorën e të marrit?
Për të blerë urtinë kur nuk ka mend?
17Miku është i dashur në çdo kohë;
vëllai ka lindur për kohë të vështirë.#17.17 ose: ai ka lindur për të qenë vëlla në ngushticë
18Është i pamend kush shtrëngon dorën
e hyn dorëzanë te i afërti i vet.
19Kush do grindjen, do mëkatin;
kush e mban veten për derë të madhe, kërkon rrënimin.
20Kush është zemërlig, nuk do të gjejë mirë;
kush është gjuhëgjarpër, do ta zërë e keqja.
21Kush lind një të marrë, e lind për të zezë të vet;
i ati i të shkalluarit nuk do të gëzojë.
22Zemra e hareshme balsam për shëndetin,
shpirti i këputur than eshtrat.
23I paudhi merr dhurata nën dorë
për të dredhuar shtigjet e drejtësisë.
24Njeriu i mençur e mban parasysh urtinë,
por sytë e të marrit enden nëpër skajet e tokës.
25Një djalë i marrë është brengë për të atin
e hidhërim për gruan që e lindi.
26Nuk është mirë të gjobitësh të drejtin
apo të ndëshkosh të fismin kur është në të drejtë.
27Kush flet pak, di shumë,
kush sundon veten, është i mençur.
28Po të heshtte, edhe i marri do të dukej i urtë,
i mprehtë, po të mbante gojën.

Currently Selected:

Fjalët e urta 17: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in