YouVersion Logo
Search Icon

Fjalët e urta 15

15
1Përgjigjja e butë e zmbraps zemërimin,
por fjala e rëndë ngjall hidhërim.
2Gjuha e bukur e hijeshon dijen,
ndërsa goja e të marrëve zbraz marrëzi.
3Sytë e Zotit arrijnë gjithkund,
vëzhgojnë të keqin e të mirin.
4Një gjuhë e butë është pemë e jetës,
por një gjuhë e prapë vret shpirtin.
5I marri e përçmon mësimin e të atit,
por, kush e pranon qortimin, bëhet i urtë.
6Shtëpia e të drejtit është plot begati,
ndërsa fitimi i të paudhit sjell trazim.
7Buzët e të urtëve përhapin dijen,
por jo mendja e të marrëve.
8Flijimet e të paudhëve i neveriten Zotit.
Lutja e të drejtëve është gëzimi i tij.
9Sjellja e të paudhit i neveritet Zotit,
ai e do atë që ndjek drejtësinë.
10Kush lë udhën, duhet qortuar ashpër,
kush i urren qortimet, do të vdesë.
11Para Zotit janë skëterra e humbëtira,
aq më tepër zemra e bijve të njeriut.
12Përqeshësit nuk i pëlqen kush e qorton,
ai nuk shoqërohet me të urtët.
13Një zemër e gëzuar ngazëllen fytyrën,
një zemër e pikëlluar këput shpirtin.
14Zemra e të urtit kërkon dijen,
ndërsa goja e të marrit mbllaçit marrëzi.
15Për skamnorin çdo ditë është e keqe,
por zemërmiri bën festë pa fund.
16Më mirë pak me frikën e Zotit,
se një thesar i madh me trazim.
17Më mirë një hise perimesh me dashuri,
se një viç i majmë me urrejtje.
18Gjaknxehti mbjell grindje,
kush ka durim, ul gjakrat.
19Udha e përtacit është si gardh me ferra,
por shtegu i të drejtëve është i rrafshët.
20Djali i urtë e gëzon të atin,
por njeriu i marrë e përçmon të ëmën.
21Marrëzia është gëzim për kë s'ka mend,
por njeriu i mençur ecën drejt.
22Planet pa këshillime shkojnë huq,
por me shumë këshilltarë zënë vend.
23Njeriu gëzohet kur jep përgjigje,
por sa e mirë është fjala e thënë kur duhet!
24Jeta e ngre lart atë që sillet mirë,
kështu ai shmang teposhtën e skëterrës.
25 Zoti e rrënon shtëpinë e krenarëve,
por truallin e të vesë do ta mbrojë.
26Shestimet e të mbrapshtit i neveriten Zotit,
por fjalët e këndshme janë të pastra.
27Kush fiton me dredhi, e trazon shtëpinë,
kush i urren dhuratat, do të jetojë.
28Mendja e të drejtit mendon e përgjigjet,
por goja e të paudhëve nxjerr ligësi.
29 Zoti është larg nga të paudhët,
por lutjen e të drejtëve e dëgjon.
30Drita e syve ngazëllen zemrën,
një lajm i mirë mëkëmb eshtrat.
31Veshi që dëgjon qortimin e shëndoshë
zë vend mes të urtëve.
32Kush shpërfill rregullin, përçmon veten,
kush e pranon qortimin, zë mend.
33Droja e Zotit është mësim urtie,
përpara lavdisë vjen përulja.

Currently Selected:

Fjalët e urta 15: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in