YouVersion Logo
Search Icon

Fjalët e urta 12

12
1Kush do rregullin, do dijen,
por kush e urren qortimin, çnjerëzohet.
2Kush është i mirë ka përkrahjen e Zotit,
ndërsa njeriun dinak e dënon.
3Askush nuk zë rrënjë me prapësi,
por rrënja e të drejtëve nuk lëviz.
4Një grua zonjë është kurorë për të shoqin,
por gruaja që turpëron është kalbësirë për eshtrat e tij.
5Të drejtët mendojnë drejtësinë,
të paudhët këshillojnë mashtrimin.
6Fjalët e të paudhëve janë pritë gjakatare,
por të drejtët do t'i çlirojë goja e vet.
7Të paudhët bien e s'janë më,
por shtëpia e të drejtëve qëndron.
8Njeriu lavdërohet sipas mençurisë së tij,
por mendjeçarturit do të përbuzen.
9Më mirë i shpërfillur, por me shërbëtor,
sesa i mburrur, por i pangrënë.
10I drejti kujdeset për bagëtitë e veta,
por ndjenjat e të paudhëve janë mizore.
11Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë,
kush rend pas kotësive është i pamend.
12Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish,
rrënja e të drejtëve lulëzon.
13Buzët e përdala janë kurthi i të ligut,
por i drejti do të shpëtojë nga ankthi.
14Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja,
secili shpërblehet sipas veprave që bën.
15I marri kujton se sillet drejt,
por kush dëgjon këshillën është i urtë.
16I marri e tregon qartë zemërimin e vet,
ndërsa i mprehti e fsheh turpërimin.
17Kush thotë të vërtetën, shpall drejtësinë,
por dëshmitari i rremë, mashtrimin.
18Kush flet pa menduar është si shpatë therëse,
por gjuha e të urtëve është shërim.
19Goja e së vërtetës, qëndron përgjithmonë,
por gjuha gënjeshtare vetëm për pak.
20Në zemrën e mendjekëqijve ka mashtrim,
këshilltarëve të paqes u takon gëzimi.
21Të drejtin nuk do ta zërë asnjë mjerim,
ndërsa të paudhët do të jenë mbushur me të këqija.
22Buzët gënjeshtare i neveriten Zotit,
por atë e gëzon kush thotë të vërtetën.
23Njeriu i mençur nuk e shfaq dijen,
kurse zemra e të marrëve kumton marrëzinë.
24Dora e punëtorit do të mbizotërojë
e dora e përtacit do të nënshtrohet.
25Ankthi i zemrës e thyen burrin,
ndërsa një fjalë e mirë e gëzon.
26I drejti e drejton të afërtin e vet,
por udha e të paudhëve ngatërron vetë ata.
27Përtaci nuk do të ketë gjah për të pjekur,
por zelli i jep njeriut pasuri të çmueshme.
28Në udhën e drejtësisë është jeta,
nuk ka vdekje në shtigjet e saj.

Currently Selected:

Fjalët e urta 12: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in