YouVersion Logo
Search Icon

Numrat 5

5
Njerëzit e papastër
1 Zoti foli me Moisiun e i tha: 2«Urdhëroji izraelitët të dëbojnë nga fushimi këdo që vuan nga sëmundje lëkure, rrjedhje fareci dhe këdo që është i papastër për shkak se ka prekur ndonjë kufomë. 3Përjashtoji nga fushimi, si meshkujt, ashtu edhe femrat, që të mos e përdhosin fushimin ku unë banoj». 4Dhe izraelitët kështu vepruan. I përjashtuan nga fushimi. Izraelitët bënë ashtu siç Zoti i kishte thënë Moisiut.
Dëmshpërblimi
5 Zoti foli me Moisiun e i tha: 6«Thuaju izraelitëve: kur një burrë apo një grua mëkaton kundër një tjetri dhe si pasojë shkel besën e Zotit e bie në faj, 7të rrëfejë mëkatet që ka bërë e të paguajë dëmshpërblim për to. T'i shtojë dëmshpërblimit një të pestën e shumës dhe t'ia japë atij që ka dëmtuar. 8Nëse nuk ka njeri që ta marrë shpagimin, ai t'i jepet Zotit e t'i përkasë priftit, bashkë me dashin e flisë së shlyerjes së mëkatit që do të kushtohet për të shlyer mëkatin. 9Çdo dhuratë e shenjtë që izraelitët i paraqesin priftit do t'i përkasë atij. 10Dhurata e shenjtë e secilit do t'i përkasë priftit dhe çdo gjë që do t'i jepet do të jetë e tij».
Kurorëshkelja
11 Zoti foli me Moisiun e i tha: 12«Thuaju izraelitëve: kur gruaja e dikujt dredhon nga i shoqi, e tradhton atë, 13dhe me të fle fshehurazi dikush tjetër pa e marrë vesh i shoqi që ajo ka përdhosur veten, nëse nuk ka asnjë dëshmitar dhe ajo nuk kapet në aktin e tradhtisë, 14por të shoqin e bren xhelozia e dyshon se gruaja e ka përdhosur veten, 15atëherë i shoqi ta sjellë para priftit. Bashkë me të, të sjellë edhe një kilogram miell elbi për fli. Të mos derdhë vaj as temjan mbi të, sepse është fli drithi xhelozie që kushtohet për të përkujtuar fajin.
16Prifti ta paraqesë gruan para Zotit. 17Pastaj prifti të marrë ujë të shenjtë në një enë balte. Të marrë edhe pluhur nga trualli i tendës e ta shtjerë në ujë. 18Pasi e paraqet gruan para Zotit, prifti t'ia lëshojë flokët dhe në duart e saj të vendosë flinë përkujtimore të drithit, flinë e xhelozisë. Prifti të mbajë në dorë ujin e hidhur të mallkimit. 19Pastaj t'i kërkojë të betohet e t'i thotë: “Nëse nuk fjeti me ty ndonjë tjetër dhe nëse nuk dredhove nga yt shoq, atëherë ky ujë i hidhur i mallkimit nuk do të të bëjë dëm. 20Por, nëse i dredhove tët shoqi dhe e përdhose veten duke fjetur me dikë tjetër përveç tët shoqi”, 21këtu prifti ta vërë gruan të betohet me një nëmë mallkimi e t'i thotë: “Zoti të bëftë mes popullit një emnesë nëme e mallkimi kur të t'i thajë ijët e të ta ënjtë barkun. 22U përhaptë uji i mallkimit brenda teje! Ta ënjttë barkun e t'i thaftë ijët!”. Atëherë gruaja të përgjigjet: “Amen! Amen!”.
23Prifti t'i shkruajë nëmët e pastaj t'i tresë ato në ujin e hidhur. 24T'ia japë gruas për ta pirë që uji i hidhur i mallkimit të hyjë brenda saj. 25Prifti t'ia marrë gruas flinë e xhelozisë, t'ia kushtojë Zotit si fli lartësimi e ta sjellë tek altari. 26Atëherë ai të marrë një grusht miell nga flija e përkujtimit e ta djegë në altar. Pastaj t'i japë gruas ujin për ta pirë. 27Pasi ta ketë pirë, uji i hidhur i mallkimit do të hyjë brenda saj dhe nëse ajo e ka përdhosur veten duke e tradhtuar të shoqin, uji do t'ia ënjtë barkun e do t'ia thajë ijët. Kështu ajo do të bëhet mes popullit një emnesë nëme. 28Por, nëse ajo është e pastër dhe nuk e ka përdhosur veten, uji nuk do t'i bëj dëm dhe ajo do jetë në gjendje të lindë fëmijë.
29Ky është ligji në lidhje me xhelozinë, kur gruaja dredhon nga i shoqi dhe përdhos veten 30ose kur të shoqin e bren xhelozia e dyshon për të. Prifti të paraqesë gruan para Zotit e të veprojë me të sipas këtij ligji. 31I shoqi do të jetë i pafajshëm, ndërsa e shoqja do të mbajë fajin e vet».

Currently Selected:

Numrat 5: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in