YouVersion Logo
Search Icon

Nehemia 8

8
Leximi i ligjit
1Atëherë mbarë populli u mblodh si një trup i vetëm në sheshin përballë Portës së Ujit e i thanë shkruesit Ezra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Perëndia i kishte urdhëruar Izraelit. 2Në ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezra e solli ligjin para kuvendit të burrave, grave dhe të gjithë atyre që mund të kuptonin e të dëgjonin. 3E lexoi me zë në sheshin para Portës së Ujit, deri në mesditë, para burrave, grave e atyre që ishin në gjendje ta kuptonin. I gjithë populli i vuri vesh librit të ligjit. 4Shkruesi Ezra qëndroi në një shkallare druri, që e kishin përgatitur për këtë gjë, ndërsa bri tij rrinin Matitjahu, Shemai, Ananjahu, Urjahu, Hilkiahu e Masejahu, në krahun e djathtë, e në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkjahu, Hashumi, Hashbadanahu, Zakaria e Meshulami. 5Ezra e hapi librin para syve të mbarë popullit, se ishte më lart se tërë populli. Kur e hapi, mbarë populli u ngrit më këmbë. 6Atëherë Ezra e bekoi Zotin, Perëndinë e madh, ndërsa gjithë populli, me duart lart, u përgjigj: «Amen! Amen!». Pastaj ranë përmbys me fytyrë përdhe para Zotit. 7Jeshuai, Baniu, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabetai, Hodiahu, Masejahu, Kelitai, Azarjahu, Jozabadi, Hanani, Pelajahu e levitët, e ndihmuan popullin ta kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në vendin e vet. 8Ata e lexonin librin e ligjit të Perëndisë dhe e sqaronin. I nxirrnin kuptimin, që ta kuptonin leximin.
9Nehemia, që ishte qeveritar, Ezra, që ishte prift e shkrues, si dhe levitët, të cilët e mësonin popullin, i thanë mbarë popullit: «Kjo ditë i kushtohet Zotit, Perëndisë suaj. Mos vajtoni e mos qani». Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e ligjit. 10Atëherë Nehemia u tha: «Shkoni, hani ushqime të majme, pini pije të ëmbla e çojuni një pjesë atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, se kjo ditë është e shenjtë për Zotin tonë. Mos u mërzitni, sepse gëzimi i Zotit është streha juaj». 11Kështu, levitët e qetësuan mbarë popullin, duke i thënë: «Heshtni, se kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni». 12Tërë populli shkoi për të ngrënë e për të pirë, për t'u dhënë një pjesë të tjerëve e për të gëzuar shumë, sepse i kishin kuptuar fjalët që u ishin thënë.
Festa e Kasolleve
13Të nesërmen kryefamiljarët e mbarë popullit u mblodhën me priftërinjtë e levitët te shkruesi Ezra për të përimtuar fjalët e ligjit. 14Në ligjin që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut, zbuluan se populli i Izraelit duhej të jetonte në kasolle gjatë festimeve të muajit të shtatë 15e se festimet duheshin shpallur me zë në të gjitha qytetet dhe në Jerusalem, duke thënë: «Dilni nëpër male e sillni gema ullinjsh të butë e të egër, gema boronicash, gema palmash e gema pemësh gjethore, sikurse është shkruar». 16Atëherë populli doli e i solli. Ndërtuan për vete kasolle, secili mbi pullazin e shtëpisë së vet, nëpër treme, në tremen e tempullit të Perëndisë e në sheshin e Portës së Ujit, si edhe në sheshin e Portës së Efraimit. 17Mbarë bashkësia e të kthyerve nga skllavëria bënë kasolle e banuan në to. Qysh prej kohës së Jeshuait, birit të Nunit, deri më atë ditë, Izraeli nuk kishte bërë diçka të tillë, prandaj u bë gëzim i madh. 18Ai e lexoi librin e ligjit të Perëndisë, çdo ditë, nga dita e parë deri tek e fundit. Festa zgjati shtatë ditë dhe ditën e tetë u bë një mbledhje e madhe, sipas rregullores.

Currently Selected:

Nehemia 8: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in