YouVersion Logo
Search Icon

Mateu 8

8
Pastrimi i të lebrosurit
(Mk 1.40-45; Lk 5.12-16)
1Kur Jezui zbriti nga mali, turma të mëdha i shkuan pas. 2Dhe ja, një i lebrosur iu afrua, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». 3Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe ai u pastrua menjëherë nga lebra. 4Jezui i tha: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti e kushto dhuratën që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi».
Besimi i kryeqindësit
(Lk 7.1-10; Gjn 4.43-54)
5Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: 6«O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». 7Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». 8Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. 9Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». 10Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. 11Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, 12ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». 13Pastaj i tha kryeqindësit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!». Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
Shërimi i shumë njerëzve
(Mk 1.29-34; Lk 4.38-41)
14Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe. 15Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t'u shërbente. 16Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët, 17që kështu të përmbushej fjala e profetit Isai:
mori mbi vete dobësitë tona
dhe mbarti sëmundjet tona.
Të ndjekësh Jezuin
(Lk 9.57-62)
18Kur pa se ishte i rrethuar nga një turmë e madhe, Jezui urdhëroi të shkonin në bregun tjetër. 19Një shkrues iu afrua e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo që të shkosh». 20Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
21Një tjetër, një nga dishepujt, i tha: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë». 22Por Jezui i tha: «Ti më ndiq mua dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre».
Fashitja e stuhisë
(Mk 4.35-41; Lk 8.22-25)
23Pastaj hipi në varkë i ndjekur nga dishepujt e vet. 24Dhe ja, në liqen u ngrit një stuhi e madhe, aq sa varka u mbulua nga dallgët. Ndërkohë ai flinte. 25Ata iu afruan, e zgjuan e i thanë: «O Zot, na shpëto se po mbytemi!». 26Ai u tha: «Përse keni frikë, o besimpakë?». Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe liqenin. Pastaj u bë bunacë e madhe. 27Njerëzit, të mahnitur, i thanë njëri-tjetrit: «Kush është ky që i binden edhe erërat, edhe liqeni?».
Shërimi i dy të pushtuarve nga djalli
(Mk 5.1-20; Lk 8.26-39)
28Kur arriti në bregun tjetër, në vendin e gadarenëve, i dolën përpara dy të pushtuar nga djalli që erdhën nga varrezat. Ata ishin aq të egër, saqë askush nuk guxonte të kalonte asaj rruge. 29Dhe, ja, ata filluan të bërtisnin e të thoshin: «Çfarë ke me ne, o Biri i Perëndisë? Ke ardhur të na mundosh para kohe?». 30Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash 31dhe djajtë iu lutën Jezuit: «Nëse na dëbon, na dërgo te kjo tufë derrash». 32Ai u tha: «Shkoni!». Atëherë, pasi dolën, ata shkuan te derrat dhe e tërë tufa u hodh nga humnera në liqen e u mbyt në ujë. 33Ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve e shkuan në qytet, që të tregonin për të pushtuarit nga djalli e për gjithçka ndodhi. 34Dhe, ja, i gjithë qyteti i doli para Jezuit dhe kur e panë, iu lutën të largohej nga krahina e tyre.

Currently Selected:

Mateu 8: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in