YouVersion Logo
Search Icon

Mateu 24

24
Për shkatërrimin e tempullit
(Mk 13.1-2; Lk 21.5-6)
1Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. 2Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Fillimi i fundit
(Mk 13.3-13; Lk 21.7-19)
3Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». 4Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, 5se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. 6Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi.
7Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke#24.7 dorëshk. të tjera edhe: murtajë e tërmete në disa vende, 8por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. 9Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. 10Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. 11Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. 12Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. 13Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. 14Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi».
Shkretimi i madh
(Mk 13.14-23; Lk 21.20-24)
15«Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel, “kush lexon le ta kuptojë”, 16atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. 17Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! 18Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! 19Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë!
20Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën. 21Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, sa nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. 22Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen.
23Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. 24Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë shenja të mëdha e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit, 25por, ja, unë ju paralajmërova. 26Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është fshehur në qilar!”, mos u besoni. 27Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim. 28Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mk 13.24-27; Lk 21.25-28)
29«Fill pas pikëllimit të atyre ditëve,
dielli do të errësohet
e hëna nuk do të japë dritë.
Yjet do të bien nga qielli
e pushtetet qiellore
do të tranden.
30Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut dhe të gjitha fiset e tokës do të mbajnë zi e do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe. 31Do të buçasë trumbeta e madhe dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij në të katër anët e tokës për të mbledhur të zgjedhurit, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës».
Mësimi nga fiku i tharë
(Mk 13.28-31; Lk 21.29-33)
32«Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. 33Kështu edhe ju kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. 34Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 35Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Dita dhe ora e fshehtë
(Mk 13.32-37; Lk 17.26-30, 34-36)
36«Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. 37Siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. 38Ashtu sikurse gjatë atyre ditëve përpara përmbytjes njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyri në arkë, 39dhe nuk dinin gjë derisa erdhi përmbytja e i zhduku, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
40Atëherë, prej dy vetave që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 41Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet. 42Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini në ç'ditë vjen Zoti. 43Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. 44Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni».
Dy shërbëtorët
(Lk 12.41-48)
45«Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46Lum ai shërbëtor që kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 47Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 48Por, nëse ai shërbëtor i mbrapshtë thotë me vete: “Zotëria im po vonohet” 49dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë e ha e pi me të dehurit, 50atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret e në orën që ai nuk e di, 51do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen hipokritët. Aty do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».

Currently Selected:

Mateu 24: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in