YouVersion Logo
Search Icon

Mateu 21

21
Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem
(Mk 11.1-11; Lk 19.28-38; Gjn 12.12-19)
1Kur iu afruan Jerusalemit dhe erdhën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj përpara 2e u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe menjëherë do të gjeni të lidhur një gomaricë e një kërriç. Zgjidhini e sillini tek unë. 3Nëse ju thotë gjë njeri, i thoni: “Zoti ka nevojë për ta e do t'jua kthejë menjëherë”». 4Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit:
5 i thoni bijës së Sionit:
ja, po vjen te ti mbreti yt,
plot butësi, hipur mbi një gomaricë
e një kërriç, të voglin e gomaricës.
6Dishepujt shkuan e vepruan siç i urdhëroi Jezui. 7Sollën gomaricën me kërriçin, u vunë përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi to. 8Shumë veta nga turma shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë prisnin degët e pemëve dhe i shtronin në rrugë. 9Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij, thërrisnin:
«Hosana birit të Davidit,
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit,
Hosana në lartësitë e qiejve!».
10Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?». 11Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë».
Pastrimi i tempullit
(Mk 11.15-19; Lk 19.45-48; Gjn 2.13-22)
12Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. 13Dhe u tha: «Është shkruar:
shtëpia ime
do të quhet shtëpi lutjeje,
por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
14Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbrit e të çalët dhe ai i shëronte. 15Por kryepriftërinjtë e shkruesit, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan 16e i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?». Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi». 17Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.
Mallkimi i fikut
(Mk 11.12-14, 20-24)
18Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria. 19Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënç më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast. 20Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?». 21Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim e të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t'i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte. 22Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni».
Pushteti i Jezuit
(Mk 11.27-33; Lk 20.1-8)
23Jezui kishte hyrë në tempull e po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». 24Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. 25Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 26Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». 27Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
Dy djemtë
28«Më thoni, si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot”. 29Ai iu përgjigj: “Nuk dua”. Por më vonë u pendua e shkoi. 30Shkoi te djali tjetër e i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi. 31Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?».
Ata iu përgjigjën: «I pari». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit e laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë. 32Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë e ju nuk i besuat, por tagrambledhësit e laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje e nuk besuat».
Vreshtit dhe vreshtarët
(Mk 12.1-12; Lk 20.9-19)
33«Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: i zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj. 34Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit. 35Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. 36U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta. 37Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. 38Por kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t'i marrim trashëgiminë”. 39Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?». 41Ata i thanë: «Do t'i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t'ua japë vreshtarëve të tjerë që do t'ia japin të vjelat në kohën e duhur». 42Jezui u tha: «A nuk keni lexuar kurrë në Shkrime:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes.
Kjo është vepra e Zotit
dhe është e mrekullueshme në sytë tanë».
43Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do të japë fryte në të. 44Kushdo që bie mbi këtë gur do të copëtohet dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë».
45Kur kryepriftërinjtë e farisenjtë i dëgjuan shëmbëlltyrat e Jezuit, e kuptuan se po fliste për ta 46dhe donin ta kapnin, por kishin frikë nga turma që e mbante Jezuin për profet.

Currently Selected:

Mateu 21: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in