YouVersion Logo
Search Icon

Mateu 16

16
Një shenjë
(Mk 8.11-13; Lk 12.54-56)
1Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan një shenjë nga qielli. 2Por ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq. 3Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, se qielli është i kuq e i vranët”. #16.3 dorëshk. të tjera edhe: HipokritëJu që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mundkeni të shpjegoni shenjat e kohës? 4Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait». Pastaj u largua prej tyre.
Tharmi i farisenjve dhe saducenjve
(Mk 8.14-21)
5Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë. 6Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve». 7Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete». 8Por Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë? 9Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave e sesa shporta mblodhët? 10Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët? 11Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve». 12Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.
Pohimi i Pjetrit
(Mk 8.27-30; Lk 9.18-21)
13Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». 14Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». 15Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». 16Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». 17Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! 18Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. 19Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». 20Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mk 8.31—9.1; Lk 9.22-27)
21Që nga ajo kohë, Jezui filloi t'u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem e të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve e shkruesve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. 22Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte e i tha: «Larg qoftë, o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë». 23Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më bëhesh pengesë, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». 24Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 25Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë. 26Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? 27Biri i njeriut do të vijë me engjëjt e tij në lavdinë e Atit të vet dhe do të shpërblejë çdo njeri sipas veprave të veta. 28Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do të provojnë vdekjen pa e parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij».

Currently Selected:

Mateu 16: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy