YouVersion Logo
Search Icon

Luka 8

8
Disa gra shoqërojnë Jezuin
1Pas këtyre gjërave Jezui shkoi nëpër qytete e fshatra duke predikuar e duke shpallur ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe të dymbëdhjetët ishin me të. 2Ishin edhe disa gra që Jezui i kishte shëruar nga shpirtrat e këqij e nga sëmundjet: Maria, që quhej Magdalenë, prej së cilës ishin dëbuar shtatë djaj, 3Joana, gruaja e Kuzait, kujdestarit të pasurisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që kishin vënë pasuritë e veta në shërbim të Jezuit e të dishepujve.
Mbjellësi
(Mt 13.1-9; Mk 4.1-9)
4Kur u mblodh një turmë e madhe me njerëz që vinin tek ai nga qytete të ndryshme, Jezui foli me shëmbëlltyra: 5«Një mbjellës doli për të mbjellë farën. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe njerëzit i shkelën e zogjtë e qiellit i hëngrën. 6Disa të tjera ranë në gurishtë e sapo mbinë, u thanë se nuk kishin ujë. 7Disa të tjera ranë ndër ferra. Ferrat u rritën së bashku me to e ua zunë frymën. 8Por disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, kur u rritën, prodhuan njëqindfish». Pastaj tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mt 13.10-17; Mk 4.10-12)
9Pastaj dishepujt e pyetën se çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë. 10Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që
të kenë sy
e të mos shohin
dhe të dëgjojnë
e të mos kuptojnë».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mt 13.18-23; Mk 4.13-20)
11«Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë. 12Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen. 13Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin. 14Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria e kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen. 15Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte».
Drita nën magje
(Mk 4.21-25)
16«Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 17Asgjë e fshehur nuk do të mbetet pa u zbuluar dhe asnjë e fshehtë nuk do të mbetet pa u njohur e pa dalë në dritë. 18Kini kujdes sesi dëgjoni, se atij që ka do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo pak që mendon se ka».
E ëma dhe vëllezërit
(Mt 12.46-50; Mk 3.31-35)
19E ëma dhe vëllezërit e Jezuit shkuan për ta takuar, por nuk mundën të arrinin tek ai për shkak të turmës. 20Atëherë i thanë Jezuit: «Nëna jote e vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të të shohin». 21Por ai u tha: «Nëna ime e vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Perëndisë».
Fashitja e stuhisë
(Mt 8.23-27; Mk 4.35-41)
22Një ditë Jezui hipi në një varkë me dishepujt e u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër të liqenit». Kështu u nisën. 23Ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi. Papritur filloi një erë e fortë mbi liqen. Varka po mbushej me ujë e ata ishin në rrezik. 24Dishepujt iu afruan Jezuit, e zgjuan e i thanë: «Mësues, mësues, po mbytemi». Ai u zgjua dhe qortoi erën e dallgët kërcënuese, të cilat pushuan. Pastaj u bë bunacë. 25Jezui u tha dishepujve: «Ku është besimi juaj?». Ata ishin të trembur e të mahnitur e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që urdhëron edhe erërat, edhe ujin e ata i binden?».
Shërimi i gerasenit
(Mt 8.28-34; Mk 5.1-20)
26Pastaj arritën në krahinën e gerasenëve#8.26 ose: gadarenëve, që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë. 27Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. 28Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!», 29sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. 30Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. 31Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. 32Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t'i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. 33Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt.
34Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. 35Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika.
36Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli. 37Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye. 38Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi e i tha: 39«Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui.
Prekja shëruese
(Mt 9.18-26; Mk 5.21-43)
40Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin. 41Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, 42se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeçe, ishte duke vdekur.
Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët. 43Në grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur e askush nuk kishte mundur ta shëronte 44iu afrua nga pas, i preku cepin e gunës dhe menjëherë iu ndal hemorragjia. 45Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë#8.45 dorëshk. të tjera edhe: e ti thua kush më preku?». 46Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje». 47Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë. 48Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe».
49Ndërsa po fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kryetarit të sinagogës e i tha: «Jot bijë vdiq. Mos e shqetëso më mësuesin». 50Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». 51Kur arriti te shtëpia, nuk lejoi askënd të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, të atit e të ëmës së vajzës. 52Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por Jezui tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle». 53Por ata e përqeshën, sepse e dinin se kishte vdekur.
54Atëherë Jezui e mori për dore e thirri: «Vashëz, ngrihu!». 55Asaj iu kthye shpirti e u ngrit menjëherë. Pastaj Jezui u tha t'i jepnin për të ngrënë. 56Prindërit e saj u mrekulluan, por ai i urdhëroi të mos i tregonin askujt për çfarë kishte ndodhur.

Currently Selected:

Luka 8: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy